Sindikatat pyeten për ligjin minerar

Zv.ministri Neritan Alibali zhvilloi takime të veçanta me përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
Në fjalën e mbajtur gjatë takimeve, Alibali tha se me sugjerimet dhe vërejtjet që sindikatat do të bëjnë mbi draftin e hartuar nga grupi i punës do të nxirret një kuadër ligjor sa më i mirë dhe brenda mundësive që ka shteti shqiptar.
Ndërkohë, në konferencën e dhënë pas takimit me përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, zv.ministri tha se me anë të këtyre takimeve do të realizohet objektivi që ligji të plotësojë kërkesat e punonjësve në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese në Shqipëri.
Edhe në takimin me përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, zv.ministri shprehu qëllimin që drafti i hartuar nga grupi i punës të jetë produkt i bashkëpunimit mes qeverisë dhe sindikatave, në mënyrë që të realizohen edhe kërkesat e punonjësve në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese në vendin tonë.