Greqi, Shqipëria dërgon ndihmë
Qeveria shqiptare po solidarizohet me popullin grek duke shprehur shqetësim dhe keqardhje për situatën e rëndë humanitare që po përjetojnë banorët dhe qeveria greke, si pasojë e përfshirjes në zjarre të shumë zonave të banuara në vendin fqinj. Kryeministri Berisha ka vendosur të ofrojë ndihmë logjistike dhe në njerëz; një kompani zjarrfikësesh të përbërë nga gjashtë automjete zjarrfikëse dhe dyzet forca të specializuara kundër zjarreve. Zjarrfikësit në Greqi kanë fituar dje një betejë kundër zjarrit, ndërsa përballen me dhjetëra të tjera. Të ndihmuar dje nga qetësimi i erërave, zjarrfikësit arritën të sprapsin flakët në periferi të Athinës, pranë Atikës, dhe detyruan mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre për arsye sigurie. Dhjetëra avionë ujëhedhës grekë, italianë dhe francezë kanë luftuar kundër zjarreve. Komisioni Evropian ka njoftuar se Spanja do të dërgojë dy avionë cisterna, ndërsa Franca ka konfirmuar dërgimin e dy “Canadair” të tjera. Priten ndihma më tepër edhe nga Italia, Qipro, Rusia e Turqia, si dhe Shqipëria. Ekipet e shpëtimit shpresonin në uljen e fuqisë së erërave gjatë natës për të mundur të luftonin më shumë zjarret. “Kemi një situatë më të mirë në lindje të Atikës, ku nuk ka fronte të egra zjarri, por mbetet ende një zonë në rrezik”, tha për “Reuters” një zëdhënës i Departamentit të Zjarreve, Giannis Kapakis. Sipas autoriteteve greke, më shumë se 150 shtëpi janë dëmtuar nga zjarret që të shtunën, kur u deklarua gjendja e jashtëzakonshme. Në zonën e Atikës, zjarret, që nisën të premten, kanë shkatërruar mbi 150 hektarë pyje dhe mbi 200 banesa. Tani përpjekjet e skuadrave të shpëtimit janë përqendruar në flakët pranë ishullit Evia dhe në Porto Germeno. Ndërsa banorët e Maratonas, Nea Makrit, Dionysos, Pokermit e Rodopolisit kanë kaluar të dielën një natë tmerri, duke parë zjarret që u afroheshin gjithnjë e më shumë shtëpive të tyre. Fronte të reja zjarri janë hapur në Karistos, Eubea, në pjesën qendrore të Greqisë. Autoritetet lokale kanë denoncuar koordinimin e keq dhe ritmin e ngadaltë të ndërhyrjes kundër zjarreve. Zjarri nisi të premten në fshatin Grammatiko, rreth 40 km në verilindje të Athinës dhe u përhap në fshatrat afër dhe kërcënoi edhe periferitë veriore të kryeqytetit grek. Athina është e mbuluar nga re të dendura tymi. Zëdhënësi i qeverisë ka njoftuar mediat se bilanci i dëmtimeve materiale dhe ekologjike do të bëhet vetëm pasi zjarret të shuhen përfundimisht.