E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindroma struciane

Ata, që me naivitet e morën kundërsulmin diplomatik të Serbisë, të koduar me emrin “Dik Marti”, sikur drejtohej vetëm kundër Kosovës, u gabuan që në fillim. Duket se edhe në Tiranë pati një shfaqje të sindromës struciane, për ta trajtuar kundërsulmin diplomatik të Serbisë si lëvizje, që i adresohej vetëm Kosovës, e madje vetëm një grupi politik në pushtet në Prishtinë. U deduktua se roli i shtetit të Shqipërisë duhej të ishte vetëm solidariteti patriotik, me tavolinat në bulevard, që mblidhnin firma qytetarësh, dhe shumë-shumë, me gjetjen e epiteteve dhe të metaforave për raportuesin zviceran. Kjo butafori patriotike u komprometua shpejt nga një votë e papërgjegjshme dhe e dyshimtë nga radhët e delegacionit parlamentar të Shqipërisë në Strasburg, në favor të rezolutës "Dik Marti".
Ajo, që ndodhi në Strasburg me miratimin e rezolutës dhe sidomos fjalimi i Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, më 26 janar, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, nxjerr zbuluar një hutim të shtetit shqiptar. Pamë dhe dëgjuam një kryetar të një shteti në rajon, Presidentin e Serbisë, i cili në fjalimin e tij të gjatë dhe panegjirik, dhe të habitshëm "mbi rolin pajtues të Serbisë brenda secilit vend në rajon, dhe mes rajonit dhe BE-së", (ambicie, që kërkon analiza të thella nga zyrat tona shtetërore), përmendi në funksion të akuzës edhe emrin e Shqipërisë, dhe deklaroi tekstualisht "Të rrëmbyerit u dërguan në kampet sekrete të burgosjes në Shqipërinë fqinjë, ku shumë prej tyre u therën".
Nuk ka nevojë të përmendet praktika e vjetër politike dhe diplomatike, që kur në një organizatë ndërkombëtare një përfaqësues i një shteti përmend me ton negativ dhe akuzon në emër një shtet anëtar të asaj organizate, që është i pranishëm në sallë edhe ai me delegacionin e tij, lind nevoja e republikës për të hedhur poshtë atë akuzë. Si rregull, mosreagimi cilësohet pranim i akuzës. Nuk disponohet informacion, nëse delegacioni parlamentar shqiptar ka reaguar ndaj fjalimit të Presidentit Tadiç, dhe duket se nuk ka reaguar, përderisa asnjë websajt i zyrave shtetërore më të rëndësishme në Tiranë nuk e pasqyron.
Një ditë pas fjalës së Presidentit Tadiç, del në publik një ministër i qeverisë së Serbisë, Rasim Ljajiç, i cili më 27 janar, deklaron se "në territorin e Shqipërisë është një pjesë e madhe e provave".
Kemi pra një qëndrim zyrtar të shtetit dhe të qeverisë së Serbisë, e cila akuzon zyrtarisht dhe publikisht Shqipërinë, si provë e konstruksionit propagandistik serb të transplantologjisë.
Disa zyrtarë në Tiranë nuk e kuptuan, apo bënë sikur nuk e kuptuan, që Dik Marti i mjerë është thjeshtë instrumenti kryesor i përdorur për ofensivën diplomatike antishqiptare të Serbisë në shkallë europiane dhe ndërkombëtare. Sepse jo rastësisht ministri i Jashtëm i Serbisë fluturoi më 28 janar në Unionin Afrikan, për të kërkuar mbështetje për vërtetimin e akuzave të raportit, që tani është rezolutë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Disa zyrtarë në Tiranë nuk e kuptuan, apo bënë sikur nuk e kuptuan, se ofensiva diplomatike serbe godiste në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat shtetërore dhe kombëtare të Shqipërisë, përveç reputacionit të saj.
Sepse rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, që duhet pranuar së është një sukses i diplomacisë serbe dhe ruse, e drejton tehun e akuzës kundër një shteti anëtar të saj si Shqipëria. Në nenin 3 pohohet ekzistenca e vendeve sekrete nën kontrollin e UÇK-së në Shqipërinë Veriore. Në nenin 4 shkruhet se organet janë hequr në një klinikë në territorin e Shqipërisë, afër Fushë-Krujës. Në nenin 8 thuhet se elementet e provave të marra në Rripë, në Shqipëri, janë shkatërruar. Në nenin 17 thuhet se ndërsa Serbia kohët e fundit ka bashkëpunuar, është provuar se ka qenë e komplikuar të bëhen ç'varrosje në territorin e Kosovës, dhe ka qenë e pamundur, deri tani të bëhen në territorin e Shqipërisë. Dhe nga neni 19.5.1 deri në nenin 19.5.3, ka thirrje të drejtpërdrejtë autoriteteve të Shqipërisë, duke e marrë për të mirëqenë implikimin e vendit tonë. Është papjekuri të merresh me Dik Martin dhe të mos merresh me Serbinë, që është prodhuesja dhe protagonistja e vërtetë e akuzave, që u lëshuan për Kosovën dhe për Shqipërinë. Kjo është shprehje e sindromës struciane, që shkurtmendëson se, po të mos prononcohesh, i ke shpëtuar të keqes së akuzës. Heshta diplomatike dhe propagandistike, që lëshohet drejt reputacionit të Kosovës dhe të Shqipërisë, vjen nga Serbia. Nëse kishte ndonjë dyshim deri në datën 26 janar, mjafton të lexohet fjala e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në Asamblenë Parlamentare të KE-së. Çështja shtrohet nëse dikush në Tiranë duhet dhe do t'i japë përgjigje Presidentit të Serbisë dhe qeverisë së Serbisë për akuzat, që i adresohen drejtpërdrejtë shtetit Shqiptar për pjesëmarrje në të ashtuquajturin krim të trafikimit të organeve. Heshtja zyrtare tregon komplekse frike dhe inferioriteti, për të mos hyrë më thellë në komplekse të tjera. Nuk mund të merret si justifikim ajo, që dëgjohet nëpër zyra të ndryshme shtetërore, se tani, që është rezoluta e Asamblesë Parlamentare, Dik Marti dhe Serbia pritet të demaskohen në fund. Procesi investigues është një gjë, dhe tjetër gjë është përgjigja shtetërore për akuzat, që të drejton një shtet dhe një qeveri, të cilët ende nuk kanë kërkuar falje për krimet dhe genocidin, që Serbia ka kryer në Kosovë. Serbia është shteti, që ende nuk i ka kërkuar falje Shqipërisë, të paktën për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga minat serbe të lëshuara në vitin 1999 në Shqipërinë Veriore, pa le më të paguajë dëmshpërblim për viktimat. Shteti dhe qeveritë shqiptare kanë heshtur për reparacionet, që duhet t'i kërkojnë Serbisë për dëmet e shkaktuara nga minat serbe në Shqipërinë Veriore, një qëndrim ky që është lexuar si dobësi shqiptare nga ana e Serbisë, dhe jo si "moderim" shqiptar.
Ofensiva diplomatike e Serbisë jo pa qëllim ka implikuar edhe Kosovën, edhe Shqipërinë, sepse ajo kërkon të dëmtojë reputacionin dhe të dobësojë rolin e faktorit shqiptar në Ballkan. Serbia, e cila pretendon hapur për rol lideri në Ballkan, i trembet një roli dhe një force të re të faktorit shqiptar në rajon, një koniunkturë, të cilën ende udhëheqësit politikë në Tiranë dhe në Prishtinë nuk po e realizojnë dhe as po intonohen në bazë të kësaj skeme të re gjeopolitike në Ballkan.
Serbia pësoi një goditje të rëndë me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik të vitit të kaluar, mbi legjitimitetin e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili rezultoi konform ligjit ndërkombëtar. Ndaj ajo nxitoi të ndërmerrte një kundërofensivë diplomatike europiane dhe ndërkombëtare për të kompensuar apo çvlerësuar vendimin e drejtë historik të GJND-së. Në këtë planifikim ajo pati pjesëmarrjen, nxitjen dhe sponsorizimin e fuqishëm të shtetit dhe të qeverisë ruse. Agjencia ruse Itar -Tass raportonte më 24 janar fjalët e kryetarit të delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare të KE-së, Konstantin Kosaçev, i cili deklaronte me krenari se "Dosja e Dik Martit u hap me iniciativën e delegacionit të Rusisë". Një tjetër përfaqësues i Rusisë në këtë asamble, Dmtri Vjatkin, që mori pjesë edhe në debat, deklaroi se "fuqitë e mëdha perëndimore, bashkë me autoritetet e Kosovës dhe të Shqipërisë, do të bëjnë gjithçka që ta fashisin skandalin e trafikut të organeve. Është e qartë se as Kosova dhe as Shqipëria nuk do të ndihmojnë investigimin". Burime nga Strasburgu informojnë se askush nga delegacioni shqiptar nuk shfrytëzoi të drejtën e replikës ndaj akuzave të Presidentit të Serbisë, dhe të përfaqësuesve të Rusisë, të cilët e përmendën Shqipërinë me emër.
Duhet pasur parasysh se çështja e të ashtuquajturës transplantologji nuk është një investigim kriminal, as thjesht një pretekst investigues për të denigruar një grup politik apo disa personalitete të Kosovës. Është për të denigruar Kosovën dhe Shqipërinë, për të satanizuar kombin shqiptar, të drejtat e tij dhe rolin e tij të ri në rajon. Ndaj është e drejtë të mendohet se dikush duhet t'i përgjigjet edhe Presidentit të Serbisë, edhe shtetit serb, por edhe Rusisë, për akuzat e drejtpërdrejta, që i bëjnë Kosovës dhe Shqipërisë. Mandatet e fushatës diplomatike antishqiptare janë në Beograd dhe në Moskë. Heshtja apo frika nuk na bëjnë as më të zgjuar dhe as më miq me ta.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›