Ministria e Drejtësisë ndryshon rregullat për shërbimet te noterët
Laureta Rryçi
Ministria e Drejtësisë ndryshon rregullat për shërbimet te noterët. Udhëzimi i këtij dikasteri prek jo vetëm interesat e noterëve, por edhe të qytetarëve që kryejnë shërbime tek ata. Noterët deri tani operonin në punën e tyre të përditshme me një udhëzim që kishte dalë në vitin 2005 nga Ministria e Drejtësisë. Tani, kreu i këtij dikasteri ka vënë më tepër kushte si në ruajtjen e dokumenteve apo kontratave që hartojnë çdo ditë noterët, ashtu dhe në kërkesat që ata do të kenë ndaj qytetarëve. Po sipas këtij udhëzimi, noterët do të ndjekin rregulla të reja edhe për hedhjen e të dhënave në regjistër. Ndërsa qytetarëve do t’u kërkohen më shumë dokumente origjinale, në varësi të shërbimeve që do të kryhen. Udhëzimi ka bërë ndryshime në shërbimin e testamentit, si dhe për elementet e sigurisë që do të kenë kontratat që do të bëhen në zyrat e noterëve.
Shërbimet
Udhëzimi i ri ka përcaktuar detyrime të reja për noterët në varësi të shërbime që do t’u kërkohen të kryejnë. Tani e tutje, çdo njësi e vërtetuar që i jepet të tretit duhet të lidhet me vulë të njomë me një njësi të dokumentit me nënshkrim të vërtetuar. Gjithashtu duhet të nënshkruhet, vuloset me vulën e thatë pranë emrit të noterit dhe me vulën e njomë mbi pullat e taksës në vlerën përkatëse të tyre. Në rastet e vërtetimit të nënshkrimeve, sipas Nenit 55 të Ligjit Nr. 7829, datë 1.6.1994 “Për noterinë“, i ndryshuar, përveç dokumentit të vërtetimit të nënshkrimit, noteri tani e tuje duhet të ruajë në arkiv edhe një kopje të dokumentit me nënshkrim të vërtetuar dhe një kopje të dokumentit të identifikimit (kur është rasti i identifikimit me dokument). Kur çelet ose revokohet testamenti bëhet shënim në kolonën përkatëse të regjistrit dhe nënshkruhet nga noteri, i cili vendos dhe numrin përkatës të veprimit noterial që bën çeljen ose
revokimin e tij.
Regjistri
Sipas udhëzimit, kur në regjistër nuk mund të regjistrohen më veprime për shkak se ai është mbushur, noteri duhet të bëjë shënimin e mbylljes së regjistrit, duke shënuar datën, muajin, vitin, numrin e fletëve e faqeve të regjistrit, numrin e fundit të repertorit dhe koleksionit së bashku me nënshkrimin dhe vulën e njomë. Regjistri i mbushur vendoset në arkiv dhe mbahet në ruajtje të përhershme. Në këtë rast, noteri, pasi bën shënimin e nxjerrjes nga përdorimi të regjistrit, duhet të njoftojë brenda tri ditëve nga dita e bërjes së shënimit, strukturën përgjegjëse për aktivitetin e noterisë në Ministrinë e Drejtësisë. Kur nuk ka një zyrë tjetër në atë bashki, arkivi i dorëzohet një noteri të një zyre të ndodhur në bashkinë më të afërt, i cili përcaktohet në urdhrin përkatës të ministrit të Drejtësisë për dorëzimin e arkivit.
Udhëzimi i plotë
Në Udhëzimin Nr. 6291, datë 17.8.2005 “Për evidentimin, administrimin dhe ruajtjen e akteve e të dokumenteve noteriale, si dhe për organizimin dhe ruajtjen e arkivave noteriale”, bëhen
shtesa dhe ndryshimet si vijon: 1. Në fjalinë e parë të pikës 2, pas fjalëve “repertori e koleksioni” shtohen fjalët “dhe në
rastet kur dokumenti nuk është redaktuar prej tij, duke i dhënë atij vetëm një numër repertori”. 2. Fjalia e parë e pikës 3 ndryshohet si vijon: “dokumenti i vërtetimit të nënshkrimeve, përfshirë edhe nënshkrimin e përkthyesit, redaktohet në mënyrë të veçantë, në numër të njëjtë njësish sa janë njësitë e dokumentit me nënshkrime të vërtetuara nga noteri, plus një njësi që do të mbahet në arkivin e noterit”. 3. Në pikën 4 bëhen ndryshimet si vijon: a) Paragrafi i parë ndryshohet si vijon: “Çdo njësi e vërtetuar që i jepet të tretit, lidhet me vulë të njomë me një njësi të dokumentit me nënshkrim të vërtetuar, nënshkruhet, vuloset me vulën e thatë pranë emrit të noterit dhe me vulën e njomë mbi pullat e taksës në vlerën përkatëse të tyre”. b) Paragrafi i fundit ndryshohet si vijon: “Në rastet e vërtetimit të nënshkrimeve, sipas Nenit 55 të Ligjit Nr. 7829, datë 1.6.1994 ‘Për noterinë’, i ndryshuar, përveç dokumentit të vërtetimit të nënshkrimit, noteri ruan në arkiv edhe një kopje të dokumentit me nënshkrim të vërtetuar dhe një kopje të dokumentit të identifikimit (kur është rasti i identifikimit me dokument)”. 4. Në pikën 6 fjalët “si dhe përmbajtja e tekstit të nxjerrë nga përmbajtja e origjinës”, zëvendësohen me fjalët “si dhe ekstrakti i dokumentit origjinal”.
5. Paragrafi i parë i pikës 7 ndryshohet si vijon:
“Në rastin e vërtetimit të kopjes me dokumentin origjinal në arkivin e noterit, ruhet një kopje e tij. Noteri bën shënimin “Vërtetohet se njësia është kopje e njëjtë me dokumentin origjinal. Vërtetimi i kopjes me origjinalin mund të bëhet me dokumentin e veçantë apo në të njëjtin akt me kopjen që vërtetohet”.
6. Në pikat 11, 12 dhe 16, fjala “indekse” zëvendësohet me fjalën “indeks”.
7. Në paragrafin e dytë të pikës 11 shtohet fjalia me përmbajtje si vijon: “Shënimi në indeksin përkatës bëhet vetëm për aktet dhe veprimet noteriale, të cilat përmbajnë numër repertori dhe koleksioni”.
8. Në paragrafin e katërt të pikës 12, fjala “sekuestruan” zëvendësohet me fjalën “sekretuan”.
9. Paragrafi i parafundit i pikës 14 ndryshohet si vijon: “Kur çelet ose revokohet testamenti bëhet shënim në kolonën përkatëse të regjistrit dhe nënshkruhet nga noteri, i cili vendos dhe numrin përkatës të veprimit noterial që bën çeljen ose
revokimin e tij”.
10. Paragrafi i parafundit i pikës 15 ndryshohet si vijon: “Kur sendet e depozituara i dorëzohen depozituesit, bëhet shënim në kolonën përkatëse të regjistrit dhe nënshkruhet nga noteri, i cili vendos dhe numrin përkatës të procesverbalit të
dorëzimit”.
12. Në pikën 17 bëhen ndryshimet si vijon:
a) Paragrafi i parë ndryshohet si vijon:
“Kur në regjistër nuk mund të regjistrohen më veprime, për shkak se ai është mbushur, noteri bën shënimin e mbylljes së regjistrit, duke shënuar datën, muajin, vitin, numrin e fletëve e
faqeve të regjistrit, numrin e fundit të repertorit dhe koleksionit së bashku me nënshkrimin dhe vulën e njomë. Regjistri i mbushur vendoset në arkiv dhe mbahet në ruajtje të përhershme”.
b) Në paragrafin e tretë shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Në këtë rast, noteri pasi bën shënimin e nxjerrjes nga përdorimi të regjistrit, njofton brenda
3 ditëve nga dita e bërjes së shënimit, strukturën përgjegjëse për aktivitetin e noterisë në Ministrinë e Drejtësisë”.
13. Në paragrafin e parë të pikës 23, fjalia e dytë ndryshohet si vijon: “Kur nuk ka një zyrë tjetër në atë bashki, arkivi i dorëzohet një noteri të një zyre të ndodhur në bashkinë më të afërt, i cili përcaktohet në urdhrin përkatës të Ministrit të Drejtësisë për dorëzimin e arkivit”.
14. Për zbatimin e këtij udhëzimi, ngarkohen noterët dhe strukturat përgjegjëse për
aktivitetin e noterisë në Ministrinë e Drejtësisë.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
12 Tetor 2009