Abuzimi me detyrën, rinis “furtuna” e shkarkimeve në degët e Tatimeve në qarqe
Ervin KOÇI
Një valë e re shkarkimesh ka nisur këto ditë në drejtoritë e tatim-taksave në disa qarqe të vendit, ku në qendër kanë qenë drejtuesit e degëve dhe punonjës të tjerë të tatimeve. Burime nga DPT-ja bëjnë të ditur se shkarkimet vijnë si pasojë e konstatimit të problemeve me bizneset në këto drejtori qarqesh. E para që është përfshirë nga kjo reformë ka qenë Drejtoria Rajonale Tatimore e Dibrës, si pasojë e të cilit janë pushuar nga puna katër drejtues të këtij institucioni. Sipas burimeve pranë DPT-së, ka qenë një kontroll i auditit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave Tiranë, që ka çuar në largimin nga puna dhe shërbimi civil të katër drejtuesit e lartë tatimorë të Qarkut Dibër. Mendohet se shkak i këtij kontrolli, janë bërë shifrat e ulëta në realizimin e planit të të ardhurave tatimore në rang qarku. Kështu, gjatë muajit shtator plani i të ardhurave tatimore u realizua në masën rreth 83 për qind, ku vetëm në rrethin e Bulqizës u shënua shifra më e lartë prej 98 për qind. Sipas këtij kontrolli, të zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, inspektorët e auditit, kanë konstatuar rrjedhje të subjekteve private në shlyerjen e detyrimeve tatimore. Pikërisht shkalla e lartë e evazionit fiskal, të konstatuar nga inspektorët e ardhur nga Tirana, ka qenë ndër shkaqet kryesore që ka çuar në uljen e shifrave të mbledhjes së taksave.
Abuzimet
Shkeljet në lejimin e evazionit fiskal nga tatimorët e Dibrës edhe pse nuk bëhen publike zyrtarisht, pasi aktualisht administrata ndihet e shokuar nga masat drastike të dhëna për drejtuesit e saj, mendohet se janë tejet të rënda. Penalizimit nuk i ka shpëtuar edhe vetë drejtori i përgjithshëm i sapoemëruar në krye të këtij institucioni, Gazmir Zenelhasani, drejtori i kontrollit, Taxhedin Saraçi, drejtori i vlerësimit, Fitim Farruku, si dhe Urim Reçi. Ndërkohë, mësohet se masat e propozuara nga inspektorët e kontrollit të auditit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Tiranë, janë miratuar nga komisioni i disiplinës së këtij institucioni. Nuk bëhet e qartë nëse subjektet e lëna jashtë skemës së shlyerjes së detyrimeve tatimore, të vërtetuara gjatë kontrollit në qytetin e Peshkopisë, janë të trashëguara apo të krijuar rishtas, kur dihet se ish-drejtori Gazmir Zenelhasani nuk ka vetëm rreth tre muaj që është emëruar në krye të këtij institucioni. Nga burime konfidenciale merret vesh se katër drejtuesit tatimorë të Dibrës, tashmë të larguar nga puna, i kanë konsideruar masat ndëshkimore ndaj tyre, jo vetëm të rënda, por edhe të padrejta, pasi nuk kemi të bëjmë me ulje në detyrë të tyre, por edhe me largim nga shërbimi civil.
Denoncimet
Denoncimet e shpeshta që bëhen nga subjekte të ndryshme në numrat jeshil të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, bëjnë publik raste të shumta abuzimesh nga ana e punonjësve të tatimeve. Këto denoncime janë ato që në jo pak raste kanë bërë që të zbulohen rastet kur punonjës të tatimeve bëjnë shkelje në emër të detyrës duke favorizuar subjekte të caktuara në pagesën e taksave dhe tatimeve në kurriz të shtetit. Nga verifikimi dhe kontrolli i ushtruar në subjektet e denoncuara, nga strukturat pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor në DPT, më shumë se gjysma e tyre rezultojnë me shkelje të ligjit, për të cilat janë zbatuar penalitetet përkatëse bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, në një letër të një muaji më parë, drejtuar administratës tatimore dhe biznesit, apelonte për denoncimin e shkeljeve të ligjit dhe të abuzimeve nga ana e inspektorëve tatimorë. Zyra e Denoncimeve nga Publiku funksionon që prej datës 10 korrik të këtij viti, duke i dhënë mundësi publikut të gjerë të ofrojë informacion mbi rastet abuzive të evazionit fiskal dhe korrupsionit nga subjekte tatimpagues apo edhe punonjës të Administratës Tatimore.
Kriza tkurr të ardhurat, bie sasia e parave që vilen nga tatimet e doganat
Të ardhurat nga taksat dhe tatimet janë tkurur muajt e fundit në arkën e shtetit. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë, kriza globale ka dhënë efektet e saj negative në mbledhjen e të ardhurave, të cilat janë më pak se parashikimi. Por për sa i përket shpenzimeve e sidomos shpenzimet kapitale, vazhdojnë të jenë në nivele të larta. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, deri në fund të muajit gusht, të ardhurat buxhetore gjithsej arritën në 195.03 miliardë lekë ose rreth 8.6% më pak se parashikimi, dhe 5.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat tatimore po në fund të këtij muaji arritën në 180.4 miliardë lekë, ose 7.4% më pak se parashikimi; krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato janë rreth 6% më të larta. Ndërsa shpenzimet totale deri në fund të muajit gusht arritën në 242.5 miliardë lekë ose 6.7% më pak se parashikimi; krahasuar me janar-gusht 2008 shpenzimet rezultuan 23.3% më të larta. Shpenzimet korente rezultuan me 7.3% më pak se parashikimi dhe 18.4% më shumë se viti i kaluar, ndërsa shpenzimet kapitale rezultuan 5.1% më pak se parashikimi dhe 55.7% me shumë se viti i kaluar. Si pasojë e efekteve që dha kriza në ekonominë vendase, qeveria u detyrua që të bëjë disa ndryshime në buxhetin e këtij viti. Ajo çka bie në sy është ulja e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Qeveria ka kryer edhe një rishpërndarje të shpenzimeve. Ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë nga qeveria, këtë vit rritja ekonomike do të jetë 4.8 për qind. Ndryshimet u miratuan vetëm pak kohë më parë nga qeveria. Ulja e të ardhurave si pasojë e krizës është pranuar edhe nga vetë kreu i Financave, Bode.
12 Tetor 2009