Basha në tryezën e NATO-s, Rajs: Shqipëria, histori suksesi
Vendi ynë, për herë të parë në takimin ministeral
Ministri: Gati të marrim përgjegjësitë e NATO-s
Shqipëria ulet për herë të parë në takimin e nivelit të lartë të ministrave të NATO-s që u mbajt dje në Bruksel. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, përfaqësoi Tiranën duke u ulur në tryezën e 26 vendeve anëtare të Aleancës në të cilën Shqipëria pret të bëhet anëtare me të drejta të plota pas marrjes së ftesës këtë vit në Bukuresht. Edhe Kroacia është në të njëjtën fazë si ne. Ai ka marrë garanci për këtë dhe vlerësime të mëdha nga homologia e tij e SHBA-së, Kondoleza Rajs. Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, takimi vjetor i ministrave të Jashtëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut konfirmon vullnetin për anëtarësim plotë të Shqipërisë para samitit të Strasburgut. Takimi kishte si temë qendrore diskutimin për anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, por të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare i uruan mirëseardhjen për herë të parë Shqipërisë dhe Kroacisë në këtë ministerial. Ata shprehën përkushtimin dhe angazhimin e tyre të plotë për anëtarësimin e tyre në NATO para samitit të Strasburgut. ”Prania e Shqipërisë dhe Kroacisë sot këtu, - u shpreh ndër të tjera Sekretarja e Shtetit, Kondoleza Rajs, - është dëshmi e suksesit të këtyre 2 vendeve në përmbushjen e standardeve, por edhe një histori suksesi e Aleancës në zhvillimin e një modeli të suksesshëm për demokracitë e tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të Aleancës”. Gjatë fjalës së tij, ministri Basha falënderoi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare për pritjen e ngrohtë në këtë ministerial të parë për Shqipërinë. Në veçanti, ministri Basha i shprehu mirënjohjen e thellë Sekretares së Shtetit Kondoleza Rajs për ndihmën e madhe dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë procesit të suksesshëm të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ministri më tej u shpreh se Shqipëria është gati të marrë përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin nga privilegji i të qenit anëtar i Aleancës më të suksesshme në histori. Duke falënderuar vendet që i kanë ratifikuar tashmë protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe angazhimin e shprehur nga vendet e tjera për ta përmbyllur këtë proces sa më shpejt. Kryediplomati shqiptar i siguroi kolegët euroatlantikë se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të konsoliduar dhe për të çuar më tej reformat dhe standardet e arritura në rrugën e saj të integrimit në NATO. Ministri Basha tha se “procesi i zgjerimit të NATO-s ka zgjeruar zonën e sigurisë dhe të stabilitetit në Evropën Juglindore. Kapërcimi i çështjeve të mbetura pezull do t’i shërbejë integrimit të shpejtë të Maqedonisë në Aleancë”.
EULEX në Kosovë. “Të mos cenohet Plani Ahtisari”
Duke u ndalur tek zhvillimet në Kosovë, Basha rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të shtrirjes së misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe në zbatim të Planit Ahtisari. “Zbatimi pa asnjë cenim i Planit Ahtisari është garancia më e mirë dhe një domosdoshmëri për sigurinë, stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin tonë”, - theksoi ministri Basha. Ministri Basha përsëriti mbështetjen e plotë të Shqipërisë për perspektivën euroatlantike të vendeve të tjera të rajonit, duke përshëndetur Dialogun e Intensifikuar të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës me Aleancën si një hap në drejtimin e duhur. “Shqipëria, - theksoi Ministri Basha, - mbështet fuqimisht perspektivën euroatlantike të Ukrainës dhe Gjeorgjisë dhe deklaratën e Bukureshtit ku konfirmohet perspektiva e anëtarësimit të tyre të plotë në NATO”. Ministri Basha u takua dhe bisedoi gjatë punimeve të sesionit me Sekretaren e Shtetit Amerikan Kondoleza Rajs, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Shefer, ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Italisë, Francës, Greqisë, Spanjës etj. Kolegët euroatlantikë i rikonfirmuan ministrit Basha mbështetjen e plotë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë para samitit të Strasburgut. Ministri Basha mori pjesë në një drekë të ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe vendeve të Mesdheut Jugor, si dhe më pas do të marrë pjesë në Darkën Transatlantike të shtruar për ministrat e NATO-s nga ministri i Jashtëm i Belgjikës, Karel de Gyht, ku do të diskutohen çështje të tjera me rëndësi të Aleancës.