E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, forcat e sigurisë kanë hapur zjarr në qytetin Dera

Forcat e sigurisë së Sirisë, të mbështetura nga automjetet e blinduara, kanë hyrë në qytetin jugor Dera gjatë natës dhe kanë hapur zjarr, raporton rrjeti televiziv, Al-Xhazira. Nga ana tjetër, televizioni al Arabia, ka raportuar për vrasje në këtë qytet, por nuk ka dhënë detaje.
 

Qyteti Dera ishte vend i fillimit të protestave kundër pushtetit të presidentit, Bashar al-Asad, pesë javë më parë. Në këtë situatë, Britania u ka bërë thirrje shtetasve të saj që të largohen nga Siria për shkak të trazirave.

Ministria e Jashtme bëri të ditur se ata që nuk kanë shkak të fortë për të qëndruar, duhet të largohen nga vendi. Fatmirësisht ende funksionojnë avionët e linjave dhe ky fakt mund të ndihmojë ata që duan të braktisin vendin. Ministri i Jashtëm Britanik, William Hague i bëri thirrje udhëheqjes siriane që t`i respektojë "kërkesat legjitime të popullit".

Më herët aktivistët thanë se forcat e sigurisë në Siri kanë arrestuar mbi 10 kundërshtarë të regjimit të Presidentit Bashar Al Asad, pas një ndërhyrje të përgjakshme ndaj protestuesve.
 

Organizata me bazë në Nju Jork, Human Rights Ëatch, ndërkohë i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të nisë një hetim rreth ndërhyrjeve të forcave siriane të sigurisë ndaj protestuesve që vetëm gjatë dy ditëve të fundit ka lënë 120 persona të vrarë. Më shumë se 300 persona janë vrarë që prej nisjes së protestave kundër Presidentit Bashar Al Asad, pesë javë më parë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›