Siri, intensifikohet lufta kundër protestave

Në Siri regjimi i presidentit Bashar al Assad po vazhdon të përdorë mënyrat më të ashpra kundër lëvizjes demokratike.
Sipas dëshmitarëve ka pasur bombardime në zonat e banuara me popullsi të dendur në qytetin port Latakia ku përveç tankeve dhe trupave të këmbësorisë janë përdorur edhe anije luftarake.
Nga këto sulme të zhvilluara ditën e dielë kanë humbur jetën shumë civilë, bëjnë të ditur aktivistët për të drejtat e njeriut.
Sipas njoftimeve më të fundit të agjencieve bëhet fjalë për të paktën 19 deri 26 viktima. Por, megjithë ofensivën ushtarake në Latakia dhe në qytete të tjera siriane, opozita është e vendosur të vazhdojë protestat e saj kundër Assad-it.
Aktivistët kanë vendosur në internet një video në të cilën tregohen pamje nga demonstratat e mëdha të zhvilluara në periferitë e Damaskut.