Siri, lirohen dy gazetarët turq

Dy gazetarë turq të burgosur për dy muaj në Siri, janë liruar dhe janë nisur për në shtëpitë e tyre, pasi negociatat për këtë çështje u ndërmjetësuan nga Irani.
Ministri i jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutogllu, ka deklaruar sot nëpërmjet rrjetit Twitter, se kameramani Hamit Çoskun dhe reporteri Adem Oskoshe, janë liruar dhe janë në rrugë për në Teheran, prej nga do të udhëtojnë për në Turqi.
Të dy personat mendohet se janë arrestuar në fillim të muajit mars, pasi kishin hyrë në Siri për të raportuar për luftimet ndërmjet forcave lojale ndaj presidentit Bashar al-Asad, dhe kryengritësve opozitarë në qytetin Idlib, afër kufirit me Turqinë.
Dëshmitarët kanë thënë se ata të dy ishin arrestuar nga militantët pro-qeveritarë, dhe i ishin dorëzuar inteligjencës së Sirisë.
Nuk janë dhënë detaje lidhur me natyrën e negociatave për lirimin e gazetarëve turq ndërmjet Iranit dhe Sirisë.