Protesta në Merdarë, bllokohet qarkullimi

Prishja e një ure në Serbi nga pesha e një kamioni me rërë, ka nxjerr në protestë disa serbë matanë kufirit, duke ndërprerë kështu edhe qarkullimin e të gjitha mjeteve transportuese në pikën kufitare në Merdar në të dy drejtimet. Të drejtë qarkullimi kanë vetëm automjetet e vogla që nuk transportojnë mallra me peshë të rëndë. Lajmin për këtë e kanë dhënë Zyra për Informim e Policisë së Kosovës nëpërmjet një komunikate për shtyp.
“Zyrtarët Policor të Policisë Kufitare të Kosovës që shërbejnë në pikë-kalimin kufitar në Merdar, kanë pranuar një informacion nga autoritetet policore serbe se është ndërprerë qarkullimi i automjeteve transportues (kamionëve) me peshë, në të dy drejtimet, atë nga Serbia për në Kosovë dhe anasjelltas”, thuhet në këtë komunikatë të Policisë.
Ndërprerja e qarkullimit të automjeteve transportuese të ngarkuara me peshë, sipas Policisë, është bërë për arsye të organizimit të një proteste të një grupi qytetarësh serbë në territorin e Serbisë, të cilët në shenjë revolte kanë bllokuar rrugën me arsyetimin se më datë 11.05.2012 një kamion i ngarkuar me rërë, nga pesha e rëndë ka dëmtuar një urë.
“Zyrtarët policorë të Policisë Kufitare të Kosovës rreth orë 14:00 kanë kontaktuar me autoritetet policore serbe dhe kanë sqaruar se automjetet e vogla dhe automjetet transportuese të cilat nuk janë të ngarkuar me peshë të rëndë mund të qarkullojnë, ndërsa për ato të cilat janë të ngarkuara me peshë të rëndë u është ndërprerë qarkullimi deri në një vendim të ardhshëm”.
Nëpërmjet kësaj komunikate, Policia e Kosovës u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve transportuese që bartin pesha të rënda të shfrytëzojnë për qarkullim pikë-kalimet tjera kufitare, e jo atë të Merdarit.