Thaçi kritika BE-së: Po vonon integrimin e Ballkanit

Kryeministri i Kosovës ka kritikuar ashpër Brukselin. Në një intervistë për një nga mediat kosovare ka thënë se çdo vonesë e Brukselit për integrimin e Kosovës është dështim i tij, si në raport me Kosovën, ashtu edhe më rajonin. "Brukseli duhet të jetë më i guximshëm dhe fleksibël", ka thënë Thaçi.
Ai ka kërkuar nga Brukseli që të përshpejtohet procesi i integrimit të rajonit edhe në NATO, dhe në Bashkim Evropian, sepse sipas tij çdo vonesë hap dilema edhe për alternativa të tjera.
Kryeministri Thaçi i ka bërë thirrje Brukselit dhe të gjitha shteteve të BE-së që të veprojnë shpejt dhe në mënyrë unike për ngadhënjimin e vlerave euroatlantike edhe në rajon, pasi siç ka thënë ai, çdo vonesë hap dilema të reja, dilema të cilat nuk janë të shëndetshme për paqen, bashkëpunimin, stabilitetin në rajon, fqinjësinë e mirë dhe sistemin e vlerave.
“Mungesa e vizionit të qartë të Brukselit për Kosovën dhe rajonin, dhe mosguximi për të marrë veprime për zgjerim të shpejtë, integrimin e rajonit në mënyrë që të ngadhënje vlerat euroatlantike. Vonesat mund të krijojnë dilema dhe pakënaqësi te njerëzit, dhe normalisht se në një moment mund të krijojnë disponim jo i kënaqshëm dhe jo i pritur. Dhe mund të ketë moment që njerëzit ndoshta nuk duan të japin asgjë nga sovraniteti i tyre as në raport me BE-në”, ka thënë ai.