Siri, presidenti urdhëron lirimin e të ndaluarve në protesta

Presidenti i Sirisë, Bashar al Asad ka urdhëruar lirimin e të gjithë të ndaluarve gjatë protestave të javëve të fundit. Përjashtim bëjnë vetëm ata që kanë kryer krime “kundër kombit dhe qytetarëve”, njoftuan mediat shtetërore siriane.
Një grup sirian që merret me të drejtat e njeriut tha se qindra të paraburgosur janë liruar gjatë orëve të fundit pasi ishin torturuar për ditë të tëra. Vendimi pasoi tubimet dhe protestat e së mëkurës nga rreth 5 000 gra e fëmijë,që kërkuan lirimin e të afërmve të tyre.
Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut thonë se mbi 100 persona janë vrarë që nga fillimi i protestave anti-qeveritare rreth një muaj më parë. Presidenti sirian Bashar al-Asad bëri publike përbërjen e kabinetit të ri dhe ka urdhëruar lirimin e të burgosurve pikërisht në përpjekje për t`i ulur tensionet.
Agjencia zyrtare e lajmeve raportoi se lirimi vlen për ata që u arrestuan në valën e fundit të protestave, por organizatat për të drejtat e njeriut thonë se dje ka patur edhe arrestime tjera në qytetin Dera.
Një grup për të drejtat e njeriut thonë se 200 vetë janë vrarë deri tani në protestat. Të enjten, Asad emëroi kabinetin e ri qeveritar, i cili ka pak pushtet. Pavarëissht disa ndryshimeve, Siria pritet të kaplohet sërish nga protesta të reja.
Gjendja e jashtëzakonshme mbetet në fuqi në Siri që prej vitit 1963, kur partia Baath morri pushtetin. Presidenti Assad drejton vendin prej 11 vitesh, pasi trashëgoi pushtetin nga babai i tij president për tre dekada.