Siri, trupat e sigurisë hyjnë në krahinën Homs

Forcat siriane të sigurisë kanë hyrë sot në disa qytete në krahinën Homs, në qendër të Sirisë.
Dy grupe të të drejtave të njeriut thanë se tanket hynë në qytetin Hula, dhe se ushtria kishte kryer bastisje dhe arrestime duke përdorur edhe armët e rënda.
Për përdorimin e armëve u njoftua sot edhe në qytetin bregdetar të Latakia, ku ushtarët të dielën, për herë të parë kanë përdorur luftanije për të sulmuar qytetin.
Aktivistët thonë se të paktën 27 persona vdiqën në Latakia, kurse të paktën 1.700 persona kanë vdekur që kur filluan kryengritjet kundër regjimit të presidenti Bashar al-Asad.
Ndërkohë qeveria ka deklaruar se po lufton bandat e armatosura.