Siri, vijojnë sulmet në Hama

Edhe ditën e sotme, në qytetin Hama në Siri trupat dhe tanket, kanë vijuar sulmin e tyre ndaj civilëve. Hama ishte qendër e protestave kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad.
Banorët thonë se Hama ishte qendra e goditjeve me predha, ndërsa sipas disa raporteve, tanket kanë zënë sheshin kryesor në qendër të qytetit.
Trupat e Sirisë e kanë marrë në shënjestër këtë qytet prej të dielës dhe kanë vrarë disa civilë. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, që në kohën kur kanë filluar protestat anti-qeveri, para pesë muajve, janë vrarë afro 1700 vetë.
Goditja e fundit ndaj qytetit Hama është dënuar fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare.
Megjithatë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, vazhdon të diskutoj për përgjegjjen e tij ndaj dhunës, pasi në mbledhjen e mbrëmshme nuk u arrit pajtueshmëria për një rezolutë eventuale, meqë ka mospajtime ndërmjet anëtarëve të këshillit, lidhur me fjalorin që do të përdorej në dënimin e regjimit të al-Asadit.