E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, vriten rreth 100 protestues në ditë

Rreth 100 viktima në një ditë, ky paraqitet bilanci i viktimave në Siri. Diplomacia botërore duket disi e shpërqendruar me një mori ngjarjesh në zonën e Lindjes, ku revolucioni i emërtuar pranvera arabe ka prekur shumë vende. Epiqendër shqetësimi, veç Libisë, tashmë është bërë edhe Siria, ku vetëm në pesë ditë janë raportuar rreth 500 të vdekur, të gjithë të vrarë nga policia dhe ushtria e vendit. Pesë vende anëtare të BE kanë thirrur ambasadorët e Sirisë, për tu komunikuar dënimin për dhunën. Ato janë Franca, Italia, Britania, Gjermania dhe Spanja. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, e dënoi ashpër Sirinë për përdorimin e tankeve dhe municioneve kundër protestuesve.
Vendet europiane bëjnë thirrje për masa të ashpra për të ndaluar represionin e Sirisë, ku qeveria po u kundërvihet protestave paqësore. Franca dhe Italia i kërkuan Bashkimit Europian dhe Kombeve te Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Sirisë. Presidenti francez theksoi se vendi i tij nuk mund të ndërhyjë në Siri pa një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Sigurimit. Edhe Britania e Madhe po i dërgon sinjale Damaskut të ndalë dhunën. Ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve. Një prej aktivistëve kryesorë të revoltave në Siri, i cili ka ruajtur kontaktet me mediat nëpërmjet internetit, ka paraqitur dje fakte tronditëse të dhunës ekstreme ndaj protestuesve. Janë të paktën 500 të vdekur. Rami Nakle është blogeri më i njohur sirian. Si një nga njerëzit më të kërkuar nga regjimi i Damaskut, ai tashmë fshihet në Bejrut, por e vazhdon luftën online kundër  sundimit të Bashar Al Asad. Zona më e tronditur nga dhuna është Daraa, ku ushtria ka ndërhyrë me tanke dhe vetëm një ditë më parë u shënuan 35 të vdekur. Pas daljes së këtij lajmi, agjencia shtetërore e lajmeve tha se ushtarët janë dërguar në qytete të ndryshme, pas kërkesës së qytetarëve, të shqetësuar nga ekstremistët e armatosur. Edhe pse ligji i emergjencës në fuqi prej 48 vitesh u hoq, arrestimet e kundërshtarëve politikë të Bashar Al Asad vazhdojnë në mënyrë masive.

OKB dërgon grup hetimi në Tripoli

Kombet e Bashkuara kanë dërguar në Tripoli një grup për të hetuar akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut, ku qeveria e Gedafit premtoi bashkëpunim në hetime. Tre të dërguarit e OKB-së do të verifikojnë deklaratat për abuzime, si nga forcat e Gedafit, rebelët apo forcat e NATO-s. Qëkur nisi rebelimi në Libi, ka pasur raporte të shumta për zhdukje personash, torturë dhe vrasje të kundërshtarëve të qeverisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka marrë parasysh ngritjen e akuzave për krime kundër njerëzimit ndaj Gedafit dhe bashkëpunëtorëve të tij,. Ndërkohë në Qytetin Martir, Misrata, vazhdojnë sulmet e ushtrisë së Gedafit edhe pas tërheqjes gjatë natës, pasi u bombarduan nga forcat e NATO-s. Do të duhet shumë kohë që luftës në Libi ti vijë fundi, dhe do të duhet sërish kohë për të numëruar viktimat e saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›