E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siria nuk fton delegacionin e Kosovës në Konf. Islamike

Damask -Gjatë ditës së sotme, pritet të hidhet në votim rezoluta që u bënë thirrje vendeve të Konferencës Islamike që ta njohin Kosovën e pavarur. Rezoluta është propozuar nga Arabia Saudite, e cila konsiderohet si vend më me ndikim tek vendet anëtare të konferencës. Kosova nuk po merr pjesë në konferencën e Organizatës Islamike në Damask, për shkak se Siria, nuk ka dashur që të ftoj Kosovën.

Televizini i Kosovës, bën me dije se Ministria e Jashtme e Kosovës që moti ka bërë kërkesë për pjesëmarrje në këtë konferencë, por Siria është ajo që nuk ka dashur të bëjë ftesë. Madje, diplomacia kosovare, ka pranuar që të udhëtojë edhe si delegacion i Shqipërisë, mirëpo përgjigjja ka qenë negative në të gjitha rastet.

Nga ana tjetër, drejtues të Partisë së Drejtësisë adresuan kritika për Ministrinë e Jashtme të vendit për shkak të mos pjesëmarrjes së Kosovës në punimet e Konferencës së vendeve Islamike. Kjo mbledhje e rëndësishme po kalon pa prezencën aktive të Ministrisë së Punëve të jashtme të Kosovës, duke lëshuar rastin për lobim aktiv”, tha kryetari i kësaj partie Ferit Agani.

Zv/ministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se nuk duhet paragjykuar se miratimi i kësaj Rezolute implikon njohje të menjëhershme të Kosovës, por sipas saj është ndihmesë e madhe. Mirëpo, me apo pa Kosovën, Organizata e Konferencës Islamike nesër do të ketë në tavolinë një Rezolutë në përkrahje të pavarësisë së Kosovës.

Kjo Rezolutë e hartuar nga Shqipëria, mbështetet fuqishëm nga Arabia Saudite dhe Turqia. Ndërsa, kundërshtohet nga Indonezia, Siria, Egjipti dhe Irani. Sidoqoftë, nëse miratohet kjo Rezolutë, edhe pse nuk ka karakter obligues, do të jetë shtytje e mirë për shtetet anëtare të Konferencës Islamike për ta njohur Kosovën.

Në punimet e saj po merr pjesë edhe shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. Ndërkohë ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç ka thënë se tashmë ka dështuar kjo përpjekje falë ndihmës së disa vendeve mike të Serbisë, të cilat kanë propozuar një amendament që kërkon heqjen e kërkesës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. rtk/start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›