Liderët e Eurozonës në Romë: “Euro e pakthyeshme”, masa për krizën

Udhëheqësit e katër ekonomive kryesore të Eurozonës bënë thirrje për më shumë fonde për të konsoliduar ekonominë në krizë, në fund të një jave të trazuar financiare. Pas bisedimeve në Romë, udhëheqësit francezë, gjermanë, italianë dhe spanjollë thane se kishin rënë dakord se një paketë e re stimujsh ekonomikë me vlerë 163 miliardë dollarë kishte rendësi kritike për t`i dhënë një shtysë ekonomisë së Eurozonës. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Presidenti francez Francois Hollande tha se fondet ishin të barazvlefshme me rreth 1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Eurozonës.
Ai shtoi se nëse miratohet, paketa do të nxiste rritjen.Udhëheqësit po përpiqen të gjejnë një qëndrim të përbashkët para një takimi të nivelit të lartë të Bashkimit Europian javën e ardhshme. Eurozona me 17 anëtarë gjendet nën një presion të madh për të gjetur një zgjidhje të qendrueshme për krizën e borxhit dhe bankare që e ka mbërthyer. Në Luksemburg, ku ministrat e financave të Bashkimit Evropian mbyllën dy ditë bisedime, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christinë Lagarde e përforcoi këtë ndjesi duke thënë se FMN-ja beson se një lëvizje e vendosur dhe e fuqishme drejt një bashkimi të plotë monetar europian, duhet të riafirmohet, në mënyrë që të rikthehet besimi tek sistemi.
Kështu, Liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Spanjës, janë pajtuar të kërkojnë një paketë të rritjes prej 130 miliardë eurosh në samitin kryesor të Bashkimit Evropian, që mbahet javën e ardhshme. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se liderët e Eurozonës do të punojnë së bashku për atë që ajo e cilësoi si “union politik” për zgjidhjen e krizës ekonomike.