Siria të ndalë dhunën ndaj protestuesve
Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë do të ndërmarrin "hapa shtesë" kundër regjimit të Sirisë, nëse forcat siriane të sigurisë nuk pushojnë së vrari dhe ngacmuari protestuesit pro reformatorë.
Deklarata u lëshua pas raporteve se të paktën 31 njerëz u vranë nga forcat e sigurisë, në shtypjen e dhunshme të demonstruesve që kërkojnë largimin e regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
Zëdhënësi i Shtëpisë ë Bardhë, Jey Carney, tha se "SHBA beson se aksionet e dënueshme të Sirisë ndaj njerëzve të vet kërkojnë përgjigje të ashpër ndërkombëtare".
Bashkimi Evropian i vendosi sanksione zyrtarëve të Sirisë, të cilët janë përgjegjës për abuzimin e të drejtave të njeriut.
Aktivistë për të drejtat e njeriut thonë se përleshjet mes forcave siriane të sigurimit dhe protestuesve kanë lënë të paktën 31 të vdekur.
Me gjithë shtypjen e përgjakshme të revoltave gjatë javëve të fundit, aktivistët thonë se mijëra vetë dolën në rrugë. Protestuesit u mblodhën në kryeqytetin Damask dhe në qytete të tjera, me thirrjet për rrëzimin e qeverisë së Assadit.
Agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, njoftoi se “banda të armatosura kriminale” kanë sulmuar një oficer të ushtrisë dhe katër policë në qytetin Homs.