Sislej Xhafa: Berluskonin do ta ekspozoja edhe në Itali
Artisti shqiptar tregon mbi nxitjen për të realizuar një bust gjigant rëre të Kryeministrit italian. Madhësia e tij presupozon fuqinë politike në rritje të Berluskonit, ndërsa artisti e trajton këtë si një rast universal, ku shoqëritë pranojnë kapitalizmin autoritar
Busti gjigant i Berluskonit, i realizuar nga artisti shqiptar Sislej Xhafa, nuk ka kaluar në heshtje. Veç reagimit të publikut që ka shkuar ta shohë nga afër në galerinë “Roda-Sten” në Suedi, lajmi është publikuar në disa media. Sislej, i cili ka vazhduar të gdhendë rërën edhe pak orë para se të hapej ekspozita, tregon se i është dashur dy muaj e gjysmë për ta realizuar këtë bust (5.20 metra i gjatë dhe 8 metra i gjerë). Si një artist që e ka prekur dhe përjetuar nga afër situatën politiko-shoqërore të Italisë, para se të zhvendosej në Nju Jork, Xhafa ka tentuar një qasje ironike ndaj Berluskonit përmes dimensionit të zgjedhur. “Madhësia e tij presupozon fuqinë politike. Si njeri politik Berluskoni përfaqëson një fenomen mbi të cilin mund të ngrihen shumë pikëpyetje. Një politikan që kontrollon mediat, që vepron sipas rregullave të tij, arrin të pranohet si një model i gjerë dhe kompleksiteti i tij si universal. Duket se njerëzit e konsiderojnë atë si figura e babait, që për fëmijët është disi e frikshme, është i pagabueshëm dhe i plotfuqishëm. Në këtë logjikë, s’jemi ne ata që duhet të mendojmë për veten, gjithçka i lihet atij në duar. Në këtë mënyrë arrihet të promovohet si një shoqëri progresiste, ajo ku jetojnë gjithnjë e më shumë njerëz që nuk mendojnë me kokën e tyre”, shprehet Xhafa. Artisti nga Kosova është i pari për këtë vit që krijon posaçërisht një vepër për galerinë “Roda-Sten” që aktualisht kurohet nga Edi Muka. Përballë këtij busti, që të sjell në mend imazhin e një perëndie, çdo qenie njerëzore duket shumë e vogël. Sislej pohon se nuk dëshiron që përmes kësaj vepre t’i imponohet publikut, të vihet në raport me ta e as të përcjellë ndonjë mesazh ndërgjegjësues. “Qëllimi kryesor imi është që të ndaj një përvojë me anë të estetikës. çdo njeri që i afrohet ka një mendim të vetin, ashtu sikurse unë kam mënyrën time poetike të trajtimit të kësaj figure”. Materiali bazë i përdorur është rëra dhe i pyetur për këtë zgjedhje, Sislej përgjigjet se “e dua shumë shkretëtirën e Saharasë dhe ajo nuk më lë hapësirë të mendoj. Bukuria e saj ma pushton imagjinatën”. Përfshirë edhe bustin e Berluskonit (Xhafa ka realizuar edhe më parë vepra me dimensione të mëdha) shpeshherë punët e Sislej Xhafës janë komentuar për natyrën e tyre provokuese apo kundërvënëse. Artisti shprehet se nuk krijon duke e paramenduar një gjë të tillë. “Unë jam individ i ndjeshëm, e nëse aksionet e mia kanë ofrua njëfarë forme rebeluese, unë për këtë nuk jam as i vetëdijshëm. Kur ëndërrojmë me vlera lokale, ne veprojmë gjithmonë në mënyrë globale. Kjo është fuqia e artit”, thekson artisti. Pse nuk zgjodhi ta ekspozonte në Itali? Sislej përgjigjet se do ta ekspozojë edhe atje, nëse do të ketë ndonjë kërkesë nga galeritë italiane të artit. “Zgjodha ta ekspozoja në Suedi dhe pikërisht në Goteborg, duke pasur parasysh se është qytet që ka një demokraci të sofistikuar, transparencë dhe mendim të avancuar social. Këtu mund të gjykohet një vepër arti duke u shkëputur nga paragjykimet. Mendoj se do të ketë një tjetër reagim nëse ekspozohet në Napoli apo Milano”, shprehet Xhafa. Kryeministri Berluskoni është kthyer në protagonist jo vetëm në ambientin italian, por edhe më tej, këtë radhë jo veç për dimensionin politik, por edhe për historitë rozë. çfarë qëndrimi mund të mbante publiku italian ndaj një vepre arti të tillë? Teorikisht mund të mendohet se do ketë dy qëndrime ashtu siç ka ndodhur deri më tani, por kjo mbetet për t’u parë në rastin e një ekspozimi të mundshëm.
#