E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishel Obama i shpall luftë obezitetit

Iniciativa
Parashtron një plan që do të ulë ndjeshëm fenomenin brenda një gjenerate

Obeziteti është një nga problemet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara që ndikon jo vetëm në pamjen e jashtme, po edhe në funksionimin e organeve të brendshme. Ndaj këtij realiteti që prek një numër gjithnjë e më të madh amerikanësh, Zonja e Parë ka ndërmarrë një fushatë mbarëkombëtare të përqendruar tek obeziteti te fëmijët. Në Shtetet e Bashkuara, sipas statistikave, një në tre fëmijë është obez dhe bëhet fjalë për një çështje që ka të bëjë me vetë të ardhmen e vendit. Mishel Obama ka parashtruar një plan shumë ambicioz, që do të tentojë ta zgjidhë këtë problem brenda një gjenerate. Ajo do të ngulmojë në rritjen e cilësisë tek ushqimet e shkollave dhe tek ushqimet që frekuentohen në masë. Kjo fushatë ka nisur dje dhe në të do të ndihmojnë edhe një numër politikanësh të rëndësishëm, njerëz të shoqëri-biznesit, sportistë e persona të tjerë që janë të famshëm e mund të ndikojnë në opinionin publik. Por sipas saj, prindërit, bizneset dhe shkollat duhet të rrisin sensin e përgjegjësisë në lidhje me ushqimet. Kështu, për shembull, prindërit do të inkurajohen që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në aktivitete sportive dhe ato të kohës së lirë. Në mbështetje të kësaj iniciative, Presidenti Obama kërkoi një shtesë prej 1 miliard dollarësh në buxhetin e shtetit, për të financuar programin e ushqimit. Vitet e fundit, obeziteti në Shtetet e Bashkuara është stabilizuar, por ndërkohë një numër shumë i madh personash vuajnë nga obeziteti dhe bëhet fjalë për një realitet jo vetëm amerikan, por që ndeshet edhe në shumë vende të tjera të zhvilluara. Mishel ka rregulla të rrepta për vajzat e saj. Veç ushqimit të zgjedhur dhe lojërave, ajo nuk i lejon ato që të shohin televizor gjatë javës, vetëm në fundjavë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›