E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toyota tërheq 430 mijë modele Prius nga tregu botëror

Presidenti i kompanisë kërkon falje për defektet e hasura kryesisht te frenat

“Toyota”, prodhuesi më i madh i automobilave në botë, ka deklaruar se do të tërheqë nga tregu botëror 430 mijë automjete të “Prius” dhe do të ndalojë prodhimin e modelit “Lexus” në një përpjekje që do ta zhysë prodhuesin japonez në një situatë të rëndë. Shkaqet e një veprimi të tillë janë defektet e fundit me frenat. Presidenti i kompanisë, që ka komentuar situatat e fundit, nuk e ka konsideruar kurrë kompaninë e tij si një kompani të pagabueshme. “Ne do të përballemi me faktet dhe do t’i ndreqim problemet, duke e vënë sigurinë e konsumatorëve në rend të ditës dhe mbi të gjitha”, ka deklaruar presidenti Akio Toyota. Aktualisht, numri total i makinave të tërhequra nga tregu botëror ka kapur shifrën 8.5 milionë. Modeli i vitit 2010, “Prius”, që ka qenë deri më tani makina me shitjen më të mirë në planet, nuk ka qenë përfshirë në problemet e shfaqura deri më tani. Në lidhje me mosfunksionimin e një sërë pjesësh të “Toyota”-s ka pasur rreth 200 ankesa në Japoni dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas kompanisë, ky problem nuk është kapital dhe mund të zgjidhet brenda disa minutash. Ndërkohë, sipas drejtuesve të kompanisë, ata shoferë që do të hasin vështirësi, duhet të konsultohen menjëherë me dyqanet përkatëse, të cilat do t’i pajisin me këshillat e duhura. Për sa i përket riparimit të makinave të tërhequra nga tregu, ai do të nisë të hënën e ardhshme në Japoni. Po dje, “Toyota” deklaroi se në mënyrë vullnetare do të tërhiqte nga tregu edhe disa mijëra copë të katërcilindërshit “Carmy”, që ndoshta mund të shfaqte të njëjtat probleme me frenat.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›