E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi antiraketor në Rumani, SHBA: Kundër Iranit, jo Rusisë

Uashington, 5 shkurt, NOA - Pasi Rumania u bë
vendi i parë evropian i cili zyrtarisht pranoi rolin e tij në sistemin e
rikonfiguruar mbrojtës nga raketat amerikane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë
ofruar siguri se ky sistemi i ri antiraketor nuk është kundër Rusisë, por
kundër atij që e kanë cilësuar si një kërcënim potencial që mbërrin nga Irani. Një fakt i tillë është bërë me dijeni nga zëdhënësi
i Departamentit Amerikan të Shtetit, Filip Krovli.

Vetë Moska zyrtare e kishte kundërshtuar planin e Shteteve të Bashkuara për
vendosjen e kapaciteteve mbrojtëse raketore në Poloni dhe Çeki dhe Uashingtoni
ishte tërhequr më pas nga ky plan.
Por qëndrimi i fundit i Rumanisë, ka krijuar dyshimet e para dhe prandaj
Departamenti amerikan i Shtetit ka sqaruar qëndrimin.

Vendimi në fjalë, duhet të miratohet tani nga
parlamenti rumun dhe sistemi për mbrojtjen nga raketat nuk do të jetë
funksionues deri në vitin 2015.

Ndërkohë që plani i mëparshëm amerikan kishte
për synim mbrojtjen e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara nga kërcënimi i
raketave me rreze të gjatë veprimi nga Irani, versioni i rishikuar do të mbrojë
aleatët e Shteteve të Bashkuara nga raketat me rreze të shkurtër dhe rreze të
mesme veprimi që Irani mund ti ketë dislokuar ose është shumë afër dislokimit
të tyre.

n.e/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›