E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimtarët ortodoksë japin 6 milionë lekë për të përmbyturit

Shkodër, 4 shkurt, NOA - Nga besimtarët ortodoksë
janë arritur që të mblidhen 6 milionë lekë në formë kontributi për zonat e
përmbytura. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Kishës Ortodokse
Autoqefale, sipas të cilave ky komunitet fetar iu përgjigj që në çastet e para
nevojave të zonave që u goditën nga përmbytjet. Vetë Kryepeshkopi Anastas,
u bëri thirrje besimtarëve të dhuronin sa të kishin mundësi, duke dhënë
shembullin e tij personal. Kështu u mblodhën 613 520 mijë lekë të reja, ku
vetëm në qytetin e Tiranës u mblodhën rreth 170 mijë lekë, thuhet në njoftimin
zyrtar të Kishës Ortodokse Autoqefale mbi një fakt të tillë.

Më tej, sqarohet se në datën 3 shkurt u bë
dorëzimi kësaj ndihme, në llogarinë bankare të hapur për këtë qëllim.

Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni, i
shoqëruar nga klerikët atë Aleksandër Petani dhe atë Nikolla Petani, u takuan
në Bashkinë e Shkodrës me kryetarin. Lorenc Luka, i cili shprehu admirimin e
tij për këtë solidaritet të treguar nga besimtarët orthodoksë, i cili ka një
vlerë të madhe, vë në dukje më tej njoftimi.

Kjo në fakt, ishte ndihma e dytë e dhuruar
prej Kishës Ortodokse për zonën e përmbytur të Shkodrës brenda një kohe të
shkurtër.

Ndihmesa e parë ishte ajo e dhënë që në çastet
e para në Shtabin e Emergjencës së këtij qyteti, me 5 ton ndihma, të cilat
përmbanin ushqime, veshmbathje, shtresa etj.

n.e/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›