E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sistemi bankar në vend është fitiprurës, i mirëkapitalizuar dhe në gjendje të paguajë”

Autori i Lajmit: red.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, komenton situatën në lidhje me interesat e depozitave bankare dhe rrezikun që u kanoset bankave. Sipas tij, depozitat nuk janë të rrezikuara sepse sistemi bankar është fitimprurës dhe në gjendje të likujdojë klientët. Këto ai i tha në kuadër të krizës së përgjithshme financiare botërore, por qetësoi publikun, se ky rrezik nuk është prezent në Shqipëri. Por megjithatë, në mbledhjen e djeshme të Këshilli Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Fullani ka tërhequr vëmendjen se nevojitet një ndjekje e kujdesshme e ecurisë së cilësisë së aktiveve. Sipas tij, ka ardhur koha për t i kushtuar vëmendje më të madhe ecurisë së tregut të likuideve, fuqisë paguese ndaj klientit. Gjithashtu, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi “Deklaratën e politikës monetare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008” dhe në përfundim të analizës ekonomike dhe financiare, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin, 6.25 për qind.
Fjala e Guvernatorit
Në zhvillimet e brendshme, në përputhje dhe me parashikimet e mëparshme të Bankës së Shqipërisë, inflacioni në terma vjetorë, në muajin gusht 2008, u ul në nivelin 2,5 për qind. Në përgjithësi, periudha tetëmujore janar – gusht 2008, është karakterizuar nga luhatje të ndjeshme të normës vjetore të inflacionit, i cili regjistroi mesatarisht 3,8 për qind. Që prej gushtit 2007 dhe deri në muajin qershor 2008, janë evidentuar zhvillime negative në këtë drejtim duke mundësuar një normë inflacioni mbi nivelin e sipërm të zonës së tolerencës prej 4 për qind. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregun botëror, ecuria e prodhimit bujqësor në vitin 2007 dhe rritja e çmimit të energjisë në muajin mars 08, përbëjnë disa nga shkaqet kryesore që shpjegojnë rritjen në këtë periudhë.
Kushtet atmosferike të këtij viti kanë qenë të favorshme, duke bërë që oferta vendase e prodhimit bujqësor të rritej. Efekti stinor, shkaktuar nga hyrja e prodhimit të brendshëm bujqësor u ndje më tepër sesa gjatë vitit të kaluar. Çmimi i naftës dhe ai i drithit në tregun botëror kanë ardhur në rënie, gjatë dy muajve të fundit. Parashikimet e stafit të Bankës së Shqipërisë flasin për një normë inflacioni, e cila në 12 muajt në vijim do të vazhdojë të luhatet rreth vlerës 3 për qind, aq sa ç është dhe vlera sasiore e objektivit tonë.
Rreziqet kryesore
Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se rreziqet për devijimin e tij në rritje janë ende të pranishme dhe më së shumti lidhen me zhvillimet ndërkombëtare që u përmendën më sipër. Megjithatë, edhe në planin e brendshëm ekzistojnë rreziqe të mundshme, të cilat në vazhdimësi janë subjekt i analizave të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Çdo zhvillim i padëshiruar i situatës energjetike në muajt në vijim, rritja e përshpejtuar e kreditimit të ekonomisë si dhe ndërlikime të mundshme fiskale në të ardhmen, përbëjnë rreziqet kryesore në këtë drejtim.
Ndryshe nga dy vitet e fundit balanca buxhetore është negative, 2.3 miliardë lekë, larg nivelit të planifikuar prej 18 miliardë lekësh. Të ardhurat buxhetore kanë vijuar prirjen e muajve paraardhës, duke tejkaluar me rreth 3 për qind masën e planifikuar për gjysmën e parë të vitit. Ndërsa shpenzimet kanë përshpejtuar ritmet e realizimit kryesisht drejt mbylljes së gjashtëmujorit, duke përmbushur 92 për qind të planit të hartuar për këtë periudhë. Huamarrja e brendshme përfaqëson instrumentin kryesor të financimit të deficitit buxhetor, duke zënë njëkohësisht 90 për qind të totalit të huamarrjes.
Norma të larta rritjeje për depozitat
Kërkesa për para në ekonomi është rritur me një ritëm të qëndrueshëm prej mesatarisht 12 për qind në terma vjetorë, gjatë vitit 2008. Kredia për sektorin privat dominon zgjerimin monetar në ekonomi, ndërkohë që kreditimi i sektorit publik është ende modest, vetëm me rreth 2.5 pikë përqindjeje të rritjes vjetore të M3. Duke iu referuar, komponentëve përbërës të ofertës së parasë, pjesa më likuide e saj, paraja jashtë bankave vazhdon të rritet me hapa të ngadaltë, ndërkohë që depozitat pasqyrojnë norma të larta rritjeje. E nxitur kryesisht, nga politikat promovuese të sistemit bankar të zbatuara në verën 2008, rritja vjetore e depozitave në lekë dhe atyre në valutë, rezulton përkatësisht 11.2 për qind dhe 30 për qind. kundrejt shportës së monedhave kryesore e vërejtur gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2008, ka vazhduar edhe gjatë tremujorit të tretë, por me ritme më të moderuara.
Hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë
Në përgjithësi, situata e përshkruar më sipër, krahas zhvillimeve pozitive, përmban faktorë rreziku të vjetër dhe të rinj me ndikim si në fushën monetare ashtu edhe në atë të stabilitetit financiar, të cilët në rast materializimi mund të komprometojnë përmbushjen e objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Kjo situatë, i imponon Bankës së Shqipërisë nevojën për një kujdes më të madh në vlerësimin dhe analizën e këtyre faktorëve, si edhe në vendimmarrjen e mëtejshme.
Banka e Shqipërisë i ka paraprirë zhvillimeve të fundit në sistemin bankar shqiptar, duke marrë një sërë reformash strukturore, që synojnë të garantojnë funksionimin normal të tij dhe ruajtjen e ekuilibrave financiarë. Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë është fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës teknike dhe ligjore të sistemit bankar. Ngritja dhe funksionimi i Regjistrit të Kredive, rishikimi i rregulloreve të kredisë në funksion të forcimit të normave të prudencës për kreditë në valutë dhe rishikimi i rregulloreve për huatë ndërbankare në funksion të saktësimit të pronësisë së titujve, janë reforma të rëndësishme që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar. Ndonëse, sfida për të ruajtur ekuilibrat makrofinanciarë sa vjen e vështirësohet, në emër të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, dëshiroj të sqaroj publikun e gjerë se ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe ruajtja e stabilitetit financiar do të mbeten objektivat prioritarë të punës së Bankës së Shqipërisë dhe do të kenë gjithë vullnetin dhe angazhimin e saj.

Tensioni në tregjet ndërkombëtare, rënia e çmimit të banesave
Kambana e parë, falimenti i një prej bankave më të mëdha në Amerikë
Zhvillimet e kohëve të fundit dëshmojnë për një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës financiare në SHBA, duke kulmuar javët e fundit me falimentimin e një prej bankave më të mëdha të investimeve “Lehman Brothers”. Pak më parë këtij falimentimi të bujshëm, dy gjigandet e financimit të hipotekave në Amerikë, Freddie Mac dhe Fannie Mae, iu nënshtruan një plani të pazakontë dhe të kushtueshëm shpëtimi, të ideuar nga ana e Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Në fakt, ky veprim përbën vetëm një nga ndërhyrjet e autoriteteve amerikane në këtë situatë, për t i lënë vendin një sërë të tjerave më pas, si në rastin e kompanisë së sigurimeve AIG, bankës Merryl Lynch dhe veçanërisht planit, të bërë publik më 21 shtator 2008, për krijimin e një fondi 700 miliardë dollarë, për blerjen e aktiveve me probleme.
Kriza e mësipërme, e cila po shoqëron ekonominë globale për më shumë se një vit, ka bërë që shumë institucione financiare të njohura ndërkombëtarisht, të materializojnë humbje të mëdha financiare. Situata vazhdon të mbetet e paqartë dhe procesi i përhapjes së efekteve të padëshirueshme të saj mund të jetë i pranishëm edhe në muajt në vijim.
Kombinimi i saj me një sërë zhvillimesh të tjera globale ka bërë që situata ekonomike e vendeve të zhvilluara, të karakterizohet nga pikëpyetje të shumta. Inflacioni është kthyer në një shqetësim për shumicën e ekonomive ndërkombëtare, duke reflektuar kryesisht çmimet e rritura të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore. Edhe aktiviteti ekonomik në ekonomitë e zhvilluara, ka regjistruar shenja të dukshme ngadalësimi. Aktiviteti ekonomik në Eurozonë për tremujorin e dytë u tkurr me 0.2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2008. Ndërkohë që, ekonomia amerikane pritet të rritet me ritme të ngadalta edhe për gjysmën e dytë të vitit në vazhdim.
Në këto rrethana, tensioni në tregje ka qenë i lartë duke u reflektuar kryesisht në rënien e vlerës së aktiveve financiare, në luhatjen e çmimeve të lëndëve të para dhe mallrave, në rënien e çmimeve të banesave si dhe në zgjerimin e diferencës ndërmjet normave të interesit. Si reagim ndaj kësaj situate, bankat qendrore më të mëdha të botës kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për qetësimin e tregjeve, kryesisht duke furnizuar sasi të mëdha likuiditeti. Megjithatë, të dyja bankat e mëdha si Rezerva Federale ashtu dhe BQE në mbledhjet e fundit i mbajtën të pandryshuara përqindjet e interesit, në nivelet e mëparshme 2 dhe 4,25 për qind, respektivisht.

Rishikimi i rregulloreve të kredisë në funksion të forcimit të normave të prudencës për kreditë në valutë dhe rishikimi i rregulloreve për huatë ndërbankare në funksion të saktësimit të pronësisë së titujve, janë reforma të rëndësishme që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›