E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti Studenti, konviktet hapen më 7 tetor

Autori i Lajmit: red.
Rreth 6700 studentë do të strehohen në godinat e Qytetit Studenti këtë vit akademik. Regjistrimet do të nisin në datën shtatë tetor dhe do të vazhdojnë deri në datën 13 të këtij muaji. Burime nga Drejtoria e QS-së konfirmojnë se sivjet do të ketë mjedise komode dhe shërbime të reja për rreth 2.200 studentë të viteve të para dhe rreth 4500 të tjerë, që vijojnë studimet në universitet.
Regjistrimet
"Nga data 7 tetor, do të fillojnë regjistrimet për 6.700 studentë, që do të strehohen këtu. Procesi i regjistrimit do të vijojë deri në 13 tetor, dita e fillimit të vitit të ri akademik 2008-2009, e vendosur nga MASH", bëri të ditur drejtori Bujar Brovina. Në sajë të masave të marra nga drejtoria, të rinjtë që do të banojnë në të 29 bujtinat, (prej të cilave, 17 janë për vajzat), në Qytetin Studenti, këtu në Tiranë. Këtë vit janë shmangur edhe radhët e gjata për të marrë numrin e dhomës, pasi të dhënat janë hedhur në internet.
Emrat online
"Këtë vit, të gjithë studentët, veç atyre të viteve të para, mund të regjistrohen online në faqen elektronike të Qytetit Studenti, ku do të gjejnë të gjitha të dhënat për dhomën dhe godinën ku do të strehohen për vitin akademik", - tha Brovina. Tarifa vjetore e qëndrimit në Qytetin Studenti, është 30 mijë lekë, ndërsa nuk do të ketë më shumë se tre persona në një dhomë.
Dokumentet
Dokumentacioni për të gjithë studentët për regjistrim e strehim, përfshin: një certifikatë me fotografi personale, 3 fotografi, një vërtetim nga Fakulteti ku studion, si dhe një raport mjekesor. Ndërsa për studentët e vitit të parë, pagesa e qirasë së strehimit do të bëhet pranë bujtinave përkatëse në prani të inspektorëve të regjistrimit dhe financës të Qytetit Studenti, ata të viteve të tjera, do ta derdhin pagesën pranë Bankës Kombëtare Tregtare, në numër llogarie 403002295, ose pranë "Banca Italiana di Sviluppo" në numër llogarie 6937.
Internet në çdo dhomë
Investimet e kryera në tre vitet e fundit në bujtinat e Qytetit Studenti, kanë përmirësuar kushtet e strehimit. Këtë vit, për herë të parë, Qyteti i Studentit ofron shërbimin e internetit në çdo dhomë, ku si në shumë vende perëndimore, studentët shqiptarë, mund ta përdorin internetin 24 orë, kundrejt një pagese prej 300 lekësh në muaj.
Lavanteri
Në të gjitha bujtinat e Qytetit Studenti, janë vendosur minilavanteri, për larjen e materialeve të bujtinës, të materialeve private të studenteve, kundrejt një tarife. Funksionon edhe një lavanteri qendrore që kryen larjen e të gjitha materialeve të buta që janë në shërbim të studenteve nga ora 08.00 - 22.00.
Investimet
Rikonstruksioni në 29 godinat e Qytetit Studenti, prej të cilave, 17 janë godina për vajza, arrin në mbi 600 mijë euro. Investime janë kryer edhe në shtrimin e rrugëve dhe zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra, që arrijnë deri në 10 200 m2.
Mensat
Gjithashtu janë përmirësuar kushtet në sallën e ngrënies, që ka sipërfaqe rreth 300 m2 dhe kapacitet prej 150 vendesh. Në territorin e Qytetit Studenti dhe përreth tij ofrojnë shërbim si mensa rreth 15 operatorë tregtarë privatë. Për t u ardhur në ndihmë studentëve, mensa e qytetit Studenti ofron shërbime me çmime 10% më të ulta se mensat e tjera private. Investimet në mensë, ku shërben një personal prej 13 vetësh, po përqëndrohen në përsosjen e sistemit ngrohës, të ndriçimit etj, ndërsa procesi i gatimit, ruajtjes se produkteve dhe pastërtisë, do të monitorohet nga organet e specializuara.
Mjekët
Në qendrën shëndetësore punon një personel me 7 mjekë familjeje, 1 psikolog (neuropsikiater), 1 laborante, 1 sanitare, 4 infermiere dhe një ambulancë, në gjendje gatishmërie të përhershme. Në këtë qendër ofrohen dhe 2 shërbime private si, si ai i stomatologjik dhe farmaci.
Policia
Rendi publik në Qytetin Studenti sigurohet nga posta e policisë, e cila patrullon 24 orë në të gjithë territorin, në një mirorganizim edhe të shërbimeve të ruajtjes së rendit dhe investigimet.
Ky lajm është publikuar: 30/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›