E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi bankar u rrit me 12%

07/07/2011  Depozitat bankare u rritën 18,5 për qind 2010 krahasuar me një vit më parë

Portofoli i kredisë dominohet 68 për qind nga kredia në valutë, kryesisht në euro

Sistemi bankar shqiptar shënoi ritëm të lartë rritje një vit më parë. Banka e Shqipërisë në raportin vjetor prezanton një rritje të totalit të aktiveve të sistemit bankar me rreth 104.3 miliardë lekë ose rreth 12%. Ky tregues flet për një përshpejtim të ritmit të rritjes, kundrejt rritjes prej rreth 7% gjatë vitit 2009. Struktura e aktivit të sistemit bankar vijon të financohet kryesisht nga depozitat e publikut dhe të jetë i përqendruar në aktivitetin e kredidhënies, i cili është i orientuar kryesisht drejt financimit të sektorit privat.

Portofoli i kredisë

Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori bankar vijon të mbetet aktori kryesor i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri. Në fund të vitit 2010, aktivet e tij përfaqësojnë rreth 81% të Produktit të Brendshëm Bruto. Ndërkaq, portofoli i kredisë përbënte rreth 49% të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Si rezultat, veprimtaria bankare ka vijuar të thellojë shkallën e ndërmjetësimit në ekonomi gjatë vitit 2010. Ky ndërmjetësim, duke iu referuar rritjes së totalit të aktiveve të sistemit bankar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka shënuar një rritje prej 3.5 pikë përqindje gjatë vitit 2010, kundrejt rritjes prej 0.8 pikë përqindje të vitit 2009. Investimet e sistemit bankar, në këndvështrimin e kredive, ndonëse regjistrojnë ritme më të ulëta rritjeje krahasuar me periudhat e mëparshme, prezantohen me prirje rritëse në terma vjetorë. Banka e Shqipërisë vëren se portofoli i kredisë për sektorin privat, ka dëshmuar ritme të moderuara të rritjes gjatë vitit 2010. Ky portofol është rritur mesatarisht me rreth 10% në terma nominalë vjetorë, ndjeshëm më poshtë se 20% rritje vjetore për vitin 2009. Portofoli i kredisë është i dominuar nga kredia në valutë, rreth 68% e tij, kryesisht në euro. Si i tillë, lëvizjet e kursit të këmbimit luajnë një rol të rëndësishëm në dinamikën që paraqet ecuria e kredisë nominale. Duke e pastruar nga luhatjet e kursit të këmbimit, ecuria e portofolit të kredisë10% gjatë vitit 2010, tregon për një përmirësim gradual të normës vjetore të rritjes, duke kulmuar në 2 muajt e fundit të vitit në 9.7%, krahasuar me rritjen prej 4.2% në dhjetor të vitit 2009.

Depozitat

Besimi ndaj sektorit financiar dhe bankar është rikuperuar plotësisht pas goditjes që shkaktoi kriza globale. Depozitat bankare u rritën me 18,5 për qind në vitin 2010 krahasuar me një vit më parë. Në total stoku i depozitave rezulton në nivelin rreth 80.1% ndaj parasë së gjerë, krahasuar me 76% në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, rimonetizimi i ekonomisë është reflektuar njëkohësisht në rritjen e raportit të depozitave ndaj PBB-së në 64.2% në fund të vitit 2010, nga 57.9% që ishte një vit më parë. Struktura kohore e depozitave gjatë vitit 2010 ka pësuar zhvendosje drejt maturiteteve më afatgjata. Kjo prirje është evidentuar në rritjen e peshës së depozitave me afat ndaj totalit në 78.6% në fund të periudhës, kundrejt 77.2% në dhjetor 2009. Depozitat sipas agjentëve ekonomikë kanë ruajtur thuajse të pandryshueshme strukturën e tyre, ku dominojnë depozitat e individëve me rreth 85% të stokut total.

Kredia e keqe

Një indikator, i cili ende përbën shqetësim në sistemin bankar, është treguesi i dinamikës së kredive të këqija. Ky tregues arriti nivelin 13.6% të totalit të kredive në fund të 2010 nga niveli 10% që ishte në fund të vitit 2009, duke reflektuar kështu edhe presionin e krizës në disa sektorë të ekonomisë, në veçanti në sektorin e ndërtimit. Kreditë e këqija mbeten një shqetësim në sektorin bankar, megjithëse këto janë shoqëruar me rritjen e provigjioneve të mbajtura nga bankat në nivelin e 7.6% të totalit të kredive, si dhe me mbajtjen në të njëjtin nivel sigurie të normës së mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.5%. Gjithashtu gjatë vitit 2010 sistemi bankar në tërësi ka pasur një përmirësim të indikatorëve të rentabilitetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›