E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen vjedhjet në zonën e Plazhit, arrestohen 2

07/07/2011  Kryesisht minoren që “sulmojnë” pushuesit. Në Plazh sivjet polic kosovarë

DURRES- Dy persona janë kapur në kushtet e flagrancës teksa vidhnin shtetasit kosovarë apo edhe lokalet e bizneset në të dy anët e rrugës së Plazhit të Durrësit. Mbështetur në të dhënat operative të policisë është mësuar se disa të rinj të moshës 17-23 vjeç, por edhe minoren u qëndrojnë gati shtetasve kosovarë që sapo zbresin nga autobusët e linjave dhe pasi u afrohen me propozimet për t’u shërbyer me dhoma pushimi përfitojnë nga pakujdesitë e pushuesve dhe u grabisin portofolat. Policia ka thënë se kjo kategori janë kryesisht persona me moshë të vogël, minorenë, por ka edhe të rritur.

Vjedhjet

Dje paradite në sektorin “Apolonia” patrullat e policisë kanë kapur në flagrancë dy hajdutë minorenë. Ata janë pikasur si persona me aktivitet të tillë dhe pasi janë ndjekur nga një distancë e afërt prej agjentëve civil janë kapur lehtësisht me mallin e vjedhur në dorë duke krijuar edhe hutesë ndër pushuesit kosovarë. Agjentët kanë kërkuar ardhjen menjëherë të patrullës së policisë dhe vetëm atëherë pushuesit e kanë kuptuar se bëhej fjalë për aksion policor në ndëshkim të hajdutëve. Tek sektori “Apolonia” është ndër stacionet më të mëdha të mbërritjes dhe nisjes së shtetasve kosovarë që udhëtojnë nga Prishtina, Mitrovica, Drenica, Ferizaj, Vitia, Gjilani, Skënderaj, Gjakova, Prizreni, Tetova, Gostivari, Presheva etj. Zona e Plazhit ka bërë që efektivat e policisë dhe ato të seksionit të antikrimit të shtojnë praninë dhe shërbimet për të ndëshkuar vjedhjet kryesisht ato që ndodhin në kohën e rrëmujës së krijuar me zbritjen e kosovarëve dhe shtetasve shqiptar në Maqedoni nga autobusët për në Plazh.

Polic kosovarë në Plazh

Për herë të parë në bregdetin e Durrësit, Golemit, Shëngjinit, Sarandës, Vlorës dhe Velipojës së Shkodrës do të ketë prani të konsideruar të efektivave të policisë kosovare. Dje në Durrës ka mbërritur kontingjenti i parë me uniformat dhe emblemën e policisë së shtetit të Kosovës, të cilët kanë mision të shoqërojnë autokolonat në udhëtim drejt bregdetit, si dhe të bashkërendojnë punën me efektivat blu të vendeve pritëse. Të gjithë karvanët me mjete të vogla apo autobusë shoqërohen nga dy autovetura policie, njëra prej të cilave u prin kolonave, kurse tjera qëndron pas tyre. Kjo lehtëson së tepërmi edhe kontrollet gjatë rrugës pasi policia vendase nuk do të ketë nevojë të ndalojë karvanët për shpejtësi, konsumim alkooli, dokumentacion etj. Autobusët që nisen nga qytete e rajone të ndryshme të Kosovës bashkohen në Vërmicë, pika doganore Kosovë-Shqipëri dhe që aty nisin udhëtimin e gjatë prej 200 km deri në Lezhë apo Durrës, ndërsa të tjera automjete “vozisin” drejt plazheve në Jug të Shqipërisë. Rruga Durrës-Kukës-Morinë ka krijuar lehtësi shumë të mëdha për pushuesit kosovarë, të cilët mendohet se këtë vit do të shënojë rekord duke kapërcyer të 500 mijë pushuesit në brigjet shqiptare. Në Durrës janë krijuar stacione vetëm për autobusët e Kosovës për sezonin turistik. Stacione të tilla ka kudo në Plazh, nga Korali, Rrota e Kuqe, Xixa, Hekurudha, Dyrrahu dhe Iliria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›