Sistemi i paradokseve, në zgjedhje u godit pluralizmi, por u prodhua sërish Dushk i ri
Vetëm gjashtë parti do të sigurojnë përfaqësimin në Parlamentin e ardhshëm. PDI-ja dhe PR-ja, përfituan mandate vetëm falë rreshtimit në koalicionin e PD-së
Shaban Sulçe
Kritikat dhe parashikimet e errëta të ekspertëve zgjedhorë për pasojat që do të sillte në Shqipëri Kodi Zgjedhor dhe sistemi elektoral u vërtetuan katërcipërisht pas konfigurimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Nisur nga rezultatet ajo që mund të thuhet me mjaft siguri është fakti se sistemi i ri zgjedhor mund të quhet fare mirë “sistemi i paradokseve”, pasi në këto zgjedhje në Shqipëri u godit mjaft rëndë pluralizmi, por, nga ana tjetër, falë këtij sistemi zgjedhor, sërish u prodhuan mandate me anë të fenomenit të Dushkut. Nga 34 partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit vetëm gjashtë prej tyre do të kenë mundësi që të përfaqësohen në Parlamentin e ardhshëm, ndërkohë që vetëm tri partitë kryesore e merituan këtë elektorat, duke marrë vota në të gjitha qarqet e vendit.
Dushku
Ndryshe nga Parlamenti i kaluar, ku bënin pjesë rreth 12 parti parlamentare, në Parlamentin e ri do të bëjnë pjesë vetëm gjashtë parti, nga të cilat vetëm PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja kanë një elektorat të madh, të shpërndarë dhe të qëndrueshëm. Partia Republikane, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e siguruan përfaqësimin në Parlament vetëm falë avantazheve që u jepte Kodi dhe Sistemi Zgjedhor dhe rreshtimi përkrah dy partive të mëdha. Partia Republikane arriti që të siguronte mandatin e saj në qarkun e Tiranës, edhe pse përqindja e votave që ajo mori në këtë qark ishte më pak se 2.5%. Republikanët arritën të siguronin mandatin në Parlament falë formulës “Saint laguë”, ndonëse në qarkun e Tiranës kishin marrë më pak se 50% të votave të LSI-së, e cila gjithashtu siguroi vetëm një mandat në këtë qark. Ndërkaq, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Bashkimi për të Drejtat e Njeriut arritën të siguronin përfaqësimin në Parlament pikërisht falë avantazheve të sistemit zgjedhor.
Pluralizmi
Pritej që në këto zgjedhje disa parti, të cilat ishin protagoniste në skenën politike, të siguronin të paktën një mandat përfaqësimi në Parlamentin e ardhshëm. Por Kodi dhe sistemi zgjedhor kanë rezultuar fatale për këto parti dhe kryetarët e tyre. Kështu, as Partia Socialdemokrate, as Partia Demokracia Sociale, të cilat ishin prezente në Parlamentin e kaluar, nuk do të jenë më parti parlamentare. Edhe për Partinë G99, e cila, sipas sondazheve, pritej të siguronte mandate, zgjedhjet e 28 qershorit rezultuan një zhgënjim i madh, siç ndodhi edhe me disa parti të së djathtës, si Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Agrare Ambientaliste etj. Në Parlamentin e ardhshëm do të mungojnë edhe parti të tjera, si Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, apo Partia Demokristiane, por për këto dy parti Kodi ka rezultuar fatal, pasi nuk arritën të siguronin qoftë edhe një mandat të vetëm.
Koalicionet e vogla
Pritej që sistemi zgjedhor në zgjedhjet e 28 qershorit të rezultonte fatal për partitë, të cilat merrnin pjesë në koalicione më vete dhe jo në koalicionet e dy partive të mëdha. Kështu, Partia Demokristiane dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, të cilat garonin në koalicionin “Poli i lirisë”, ndonëse arritën të merrnin një numër të konsiderueshëm votash, nuk futen dot në Parlament, pasi koalicioni i tyre nuk arriti në asnjë qark që të kalonte pragun prej 5%. Shumë e dëmtuar nga ky sistem doli edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndonëse arriti që të fitonte më shumë se 120 mijë vota në të gjithë vendin, LSI-ja do të jetë në Parlamentin e ardhshëm vetëm me 4 mandate, pasi në 8 qarqe koalicioni i drejtuar prej saj nuk arriti dot që të kalonte pragun elektoral.
Defektet që prodhoi sistemi dhe Kodi Zgjedhor
Sistemi nuk prodhoi maxhorancë të qëndrueshme
Sistemi zgjedhor goditi rëndë pluralizmin në Shqipëri; nga 34 parti, vetëm 6 prej tyre do të jenë në Parlamentin e ri
Sistemi zgjedhor dëmtoi rëndë dy koalicionet e vogla, koalicionin “Poli i lirisë” dhe koalicionin “Aleanca socialiste për integrim”
Sistemi zgjedhor shkaktoi Dushk të ri, duke prodhuar mandate të pamerituara për disa parti të vogla
Sistemi zgjedhor braktisi votuesit nga deputetët. Ndryshe nga më parë, në këtë sistem është përdorur sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura
2 Korrik 2009