E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i mbrojtjes nga raketat; Medvedev zhgënjen SHBA-të

Uashington (Start)Menjëherë pas deklaratave të presidentit rus, Dimitri Medvedev për vendosjen e raketave kundër sistemit raketor amerikan, ka ardhur edhe reagimi i Uashingtonit zyrtar. Ka qenë Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormak i cili shprehu zhgënjimin amerikan ndaj sjelljeve dhe politikave të Moskës zyrtare lidhur me çështjen e sistemit të raketave. “Zyrtarët amerikanë kanë bërë përpjekje të shumta për t’iu përgjigjur shqetësimeve ruse lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat që ka në plan të vendosë administrata amerikane në Poloni dhe në Republikën Çeke. Amerika garanton se sistemi nuk ka si objektiv Rusinë, por Moska ka vendosur tashmë t’i bëjë qëndresë këtij sistemi.”, ka thënë Mekormark.

Administrata e Presidentit Bush theksoi përsëri se sistemi i planifikuar për mbrojtje nga raketat nuk do të minonte sistemin strategjik rus të mbrojtjes dhe shprehu zhgënjim që Moska duket e vendosur të përgjigjet me masa hakmarrëse.
Komentet e administratës pasojnë një fjalim të Presidentit rus Dimitri Medvedev, ku ai u zotua të vendosë raketa të reja në rajonin rus të Kaliningradit, në kufi me Poloninë dhe Lituaninë. Rusia e ka portretizuar planin amerikan për të vendosur raketa interceptore në Poloni dhe një radar që lidhet me sistemin e raketave në Republikën Çeke si një kërcënim ndaj sigurisë ruse, megjithëse administrata e Presidentit Bush nënvizon se sistemi ka si synim të vetëm të parandalojë rrezikun e sulmeve me raketa nga Irani apo vende të tjera “të papërgjegjshme.”

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›