E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i “Freedom House”: “Shqipëria, e prapambetur në luftën ndaj korrupsionit”

Vlerësimi vjen nga raporti i përvitshëm me emrin “Vende në tranzicion”. Sipas organizatës, ndarja e pushteteve është dëmtuar nga nismat politike

UASHINGTON - Organizata “Freedom House” thotë në raportin më të fundit të saj për vendet në tranzicion se Shqipëria dhe qeveria e saj kanë dështuar në luftën ndaj korrupsionit. Sipas raportit, një nga dështimet më dramatike të qeverisë dhe politikës së saj të "duarve të pastra" mund të shihet te mënyra se si e ka trajtuar korrupsionin brenda radhëve të saj. Raporti përmend faktin që dy ministra të kabinetit u përballën me procedura penale për korrupsion në vitin 2008 dhe se presioni i qeverisë ndaj Prokurorisë së Përgjithshme u rrit, veçanërisht kur prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i çoi këto çështje para gjykatës. Megjithatë, në raportin e përvitshëm "Vende në tranzicion", që merr në shqyrtim zhvillimet e vitit 2008, “Freedom House” vë në dukje se me gjithë mosmarrëveshjet dhe konfliktet mes partive kryesore, elitat ishin në gjendje të arrinin një konsensus për një numër të mjaftueshëm çështjesh për të marrë ftesën për në NATO. Po ashtu arritja e konsensusit për sistemin e ri të votimit konsiderohet në raport si një arritje për t'u shënuar dhe ka bërë që në drejtim të procesit elektoral, vlerësimi i Shqipërisë këtë vit të jetë më i lartë sesa vitin e kaluar. Me qenë se dy nga parashikimet e raportit për këtë vit janë përmbushur: anëtarësimi në NATO dhe kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Europian. Tani raporti cilëson se mbetet për t’u plotësuar parashikimi i tretë, ai për rëndësinë e zgjedhjeve të së dielës, për procesin e demokratizimit, stabilitetit politik dhe rrugës drejt integrimit euroatlantik, pritet të marrë një përgjigje më të qartë kur të kristalizohen vlerësimet për procesin zgjedhor. Vlerësimi bëhet nëpërmjet një raporti të përvitshëm që organizata publikon me emrin “Vende në tranzicion”.

Ndarja e pushteteve

Organizata thotë në raportin e saj se ndarja e pushteteve mes Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit është ende e brishtë dhe herë pas here e dëmtuar nga nismat politike. Politizimi në sektorin publik vazhdoi të ekzistonte dhe kufizon zhvillimin e një shërbimi civil, policie, gjyqësori, administrate zgjedhore dhe media profesionale dhe jopartiake. “Freedom House” thotë se decentralizimi i pushtetit lokal mbetet një nga sfidat kryesore, ashtu si dhe përmirësimi i pavarësisë, efektivitetit, perspektivës në karrierë, përgjegjësisë dhe transparencës së drejtësisë. Një konsensus ndërpartiak në Parlament bëri të mundur miratimin e ligjit për pushtetin gjyqësor, si dhe të ligjit për Prokurorinë, por deri në fund të vitit të kaluar pak përparim kishte pasuar hyrjen e tyre në fuqi.
"Pavarësia e sistemit gjyqësor u përball me kërcënime të vazhdueshme nga përpjekjet e qeverisë për të ushtruar presion dhe për të kontrolluar gjykatësit", - thuhet në raport. Kjo është edhe arsyeja që vlerësimi për pavarësinë e Gjyqësorit ishte më i ulët. Po ashtu edhe trazirat sociale dhe politike janë zhvilluar në një mënyrë të paqartë dhe herë pas here kontradiktore. Sipas organizatës, mangësitë në ndarjen e pushteteve dhe identifikimi i shtetit me partinë në pushtet janë pengesat kryesore për demokratizimin e Shqipërisë dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Pavarësia e medias

Përsa i takon medias së pavarur, raporti thotë se shqiptarët gëzojnë një larmi burimesh informacioni që përfaqësojnë një rreze të gjerë pikëpamjesh politike dhe sociale. Megjithatë, vihet në dukje se organet më me ndikim janë të përqendruar në duart e një numri të vogël pronarësh. Në raport thuhet se shoqëria civile e ka ende të vështirë të shërbejë si një zë i rëndësishëm në jetën publike dhe se roli i medias për të promovuar punën e tyre mbetet thelbësor. Po ashtu në raport thuhet se media ka vazhduar të luajë një rol efektiv në ekspozimin e korrupsionit dhe në informimin e publikut.

Ervin Koçi

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›