E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi zgjedhor dhe rezultati legjitim...

Prof. Dr. Kastriot Islami 

Sistemi elektoral është në thelb proporcional. Ai ka qenë dhe mbetet pa asnjë dyshim i njëjtë për të gjithë subjektet politike. Sistemi është një lloj “makine” që llogarit mandatet mbi bazën e votave të grumbulluara. Kjo lloj “makine” nxjerr më shumë mandate për atë koalicion që merr më shumë vota. Theksoj votat e grumbulluara nga koalicioni dhe jo nga partitë brenda tij, sepse konkurrimi është koalicion me koalicion dhe jo parti me parti. E thënë ndryshe fiton ai koalicion që grumbullon më shumë vota. Ose akoma më shkoqur del fituese ajo forca politike, që krijon koalicionin më efikas që grumbullon më shumë vota. Ky sistem favorizon pra koalicionin më të madh dhe jo partinë më të madhe dhe kjo është kështu në çdo sistem qoftë maxhoritar, proporcional apo i përzier. Konkretisht këtë hapësirë të sistemit e ka shfrytëzuar më mirë PD sesa PS, ndërkohë që sistemi zgjedhor nuk para-privilegjon asnjërën prej tyre Taktikat politike për të ndërtuar koalicione dhe optimizuar suksesin e tyre përcaktohen nga vullneti politik i palëve dhe kalojnë përmes vendimmarrjeve politike. Vullneti politik dhe vendimmarrjet politike nuk varen nga sistemi elektoral, por përcaktohen mbi bazën e mundësive dhe hapësirave që jep sistemi elektoral. Sistemi proporcional rajonal krijon mundësi dhe hapësira të barabarta për të gjithë forcat politike. Bile për shkak të realitet konkret elektoral ky sistem privilegjon lehtësisht të majtën, por të majtën efikase, e maksimalisht atë të bashkuar dhe jo të majtën e përçarë. Nuk ka asnjë sistem më botë që të garantojë maksimalizimin e suksesit të forcave politike që nuk bashkëpunojnë përveç rastit kur njëra forcë politike siguron e vetme maxhorancën qeverisëse. Vendimmarrjet politike nga të gjitha palët natyrisht kanë qenë të bazuar në këto njohuri dhe në analizën e plotë të gjithë opsioneve të mundshme. Zgjedhja e opsionit më optimal për të bërë apo jo koalicione, i cili aplikohet konkretisht në zgjedhje përcaktohet nga objektivat politikë për qeverisjen e ardhshme. Rezultati konkret i zgjedhjeve varet nga objektivi dhe mënyra e realizimit të tij, por jo nga sistemi. Është minimalisht naivitet, jo vetëm politik, që të stigmatizohet sistemi elektoral për rezultatin e zgjedhjeve, sidomos për dy forcat e para politike, si dhe të mendohet se është përgjegjës sistemi zgjedhor për mossuksesin e të gjithë atyre forcave politike, që nuk arritën të sigurojnë as 2 për qind të votave. Edhe LSI duhet të interpretojë rezultatin e saj zgjedhor nisur nga fakti që ajo ka grumbulluar rreth 38 mijë vota më pak se ne vitin 2005 (të përkthyera në mandate janë afërsisht 4 mandate) dhe tek pamundësia për të ndërtuar një koalicion zgjedhor më efikas. Megjithatë ky sistem e ka favorizuar LSI më shume se të gjithë subjektet e tjera duke e kthyer atë në një force vendimtare për fatin e koalicioneve qeverisëse pavarësisht nëse përmasa e këtij roli është me katër deputete apo më shumë.  Më poshtë jepen disa nga argumentet përse ndërlidhja vota-mandate legjitimon plotësisht këtë sistem zgjedhor dhe për rrjedhojë analiza mbi numrin e mandateve të fituara duhet të nisë me analizën për pamjaftueshmërinë e votave të fituara nga secila parti. Në këtë artikull nuk merren në konsideratë parregullsitë për shkak të administrimit të zgjedhjeve...
Argumenti i I: Koalicioni “Aleanca për Ndryshim” e drejtuar nga PD ka fituar më shumë vota dhe më shumë mandate...
Konkurrimi me sistemin proporcional rajonal vuri përballe njëri-tjetrit katër koalicione dhe një parti politike si subjekte elektorale konkurruese. Në Tiranë konkurroi edhe një kandidat i pavarur. Mandatet kuvendore u ndanë vetëm midis tri koalicioneve konkurruese i) Aleanca për Ndryshim (APN) 70 mandate, ii) Bashkimi për Ndryshim (BPN) 66 mandate dhe iii) Aleanca Socialiste për Integrim (ASI) 4 mandate. Sipas rezultateve finale të KQZ, APN e drejtuar nga PD (nga rezultatet paraprake të deritanishme sipas KQZ) ka fituar 712745 dhe ndodhet në vend të parë, duke pasur rreth 24 mijë vota më shumë se “Bashkimi për Ndryshim”, i drejtuar nga PS i cili rezulton me 688748 vota. Kurse ASI e drejtuar nga LSI ka fituar 84407 vota. Krahasuar me 2005 BPN ka një rritje me rreth 112 mijë vota, ndërkohë që APN ka një rritje vetëm me rreth 89  mijë vota. Ndërkohë, më keq paraqitet ASI, e cila ka një rrudhje me rreth 27 mijë vota në 2009 në krahasim me vitin 2005. Avantazhi në vota i APN ndaj BPN i pasqyruar edhe në avantazhin në mandate duket se legjitimon çiftin vota-mandate. E thënë më shkoqur fakti që APN ka 4 mandate më shumë se BPN është legjitim po t’i referohemi faktit që APN ka grumbulluar rreth 24 mijë vota më shumë se BPN. 
Argumenti i II: PSSH është partia që ka fituar më shumë vota, por kjo nuk ka lidhje me mandatet kuvendore...
Ky është një tregues jo shumë domethënës për konkurrimin elektoral, por i rëndësishëm për të matur ecurinë e votave të grumbulluara nga partia. PSSH është partia më e madhe në vend nga këto zgjedhje me 620,586 vota duke qenë në avancë prej 10,123 votash nga PD që ka fituar 610,463 vota. LSI ka fituar 73,678 vota. Votat e fituara nga PSSH janë rritur në krahasim me ato të vitit 2005 me rreth 82 mijë vota ndërkohë, që votat e PD janë rritur me vetëm rreth 9 mijë vota. LSI ka grumbulluar 73,678 vota duke u zvogëluar në krahasim me vitin 2005 me rreth 38 mijë vota. Treguesi për votat e partisë  është pa asnjë rëndësi sepse konkurrimi elektoral nuk ka qenë midis dy partive, por midis koalicioneve elektorale dhe janë mandatet ato që përcaktojnë koalicionin fitues dhe për rrjedhojë edhe partinë me më shumë mandate. Do të ishte jo e saktë, madje e gabuar, të nxirreshin konkluzione për legjitimitetin e sistemit, duke iu referuar mospërputhjes së renditjes së partive politike sipas mandateve nisur nga renditja e tyre e përmbysur sipas votave.  Ky do të ishte vetëm një nga treguesit, jo më i rëndësishmi, aspak domethënës, për analizat e brendshme në parti. Bile, një parti që ka më shumë vota se partia konkurruese, por më pak mandate duhet kritikuar rëndë që nuk ka shfrytëzuar as potencialin e saj elektoral dhe as mundësitë që i jep sistemi për të qenë e para edhe në mandate.
Argumenti i III: Sistemi ka “drejtpeshuar” partitë e vogla në vota e për rrjedhojë edhe në mandate...
Për herë të parë në Shqipëri “peshorja elektorale’ ka mundur të përcaktojë saktësisht “peshën elektorale” të partive politike. Kjo për shkak të dy parametrave të këtij sistemi elektoral 1) të qenit në thelb proporcional dhe 2) pranimit vetëm të koalicioneve të përbëra. Nuk ka pasur asnjë mekanizëm që të deformonte ‘peshën” reale relative të partive politike përmes dukurive të transferimit të votave sipas modelit të Dushkut, lënies së zonave të lira në maxhoritar, e tjerë. Vetëm tri parti politike kanë mundur të kalojnë pragun prej 2.5 për qind i) PS me 40.9 për qind, ii) PD me 40.2 për qind dhe iii) LSI me 4.8 për qind. Rezultatet e partive të tjera janë 1) PSD, 26700 vota ose 1.8 për qind, 2) PBDNj, 18078 vota ose 1.20 për qind, 3) PR, 31990 vota ose 2.1 për qind dhe të gjithë partitë e tjera kanë marrë nën 1 për qind të votave secila. Përfundimi është i qartë: sasia e votave të grumbulluara është baza e rezultatit elektoral të së gjithë partive që nuk kanë marrë mandate kuvendore, edhe në këtë kuptim sistemi është legjitim. Nisur nga më sipër, mund të pohohet se me çfarëdolloj sistemi proporcional, edhe kombëtar me prag minimal prej 2.5 për qind vetëm tri parti politike, PS, PD e LSI do të mund të kalonin pragun për t’u bërë parti parlamentare. Për shkak të përfshirjes në koalicion me PS ose PD dhe të aplikimit të formulës Saint Laguerre (shumë e favorshme për partitë e vogla që futeshin në koalicion me PD e PS) kanë mundur të marrin mandate përkatësisht PBDNj (1 mandat) dhe PR (1 mandat) e PDI (1 mandat). Pra, Kuvendi i ardhshëm do të ketë përfaqësues nga 6 parti parlamentare, nga të cilat tri janë me nga një deputet dhe dy janë parti me përqendrim territorial të spikatur PBDNJ dhe PDI në Vlorë. Ky “peshim” ka treguar së paku peshën reale relative të së gjithë partive politike në Shqipëri, ndërkohë që deformimi i votës për shkak të administrimit nuk ka asnjë lidhje me sistemin. Nga literatura rezulton se sistemet proporcionale janë shumë më pak të ndjeshëm ndaj deformimit të votës se cilido sistem tjetër zgjedhor. Ky është nja argument tjetër në favor të faktit që sistemi nuk është fajtor për “peshimin” real të së gjithë partive politike në Shqipëri bile mund të thuhej e kundërta.
Argumenti IV: Në shkallë kombëtare dhe në qarqe rezultati i dy partive kryesore në mandate është në përputhje me sasinë e votave të fituara.
Në disa qarqe pretendohet se “janë fituar shumë vota dhe jo aq sa meritohen mandate”. Përsëris se sistemi zgjedhor është afërsisht proporcional edhe në nivel qarku, që do të thotë se numri i mandateve të fituara në qark është në përpjesëtim të drejtë me numrin e votave të fituara në qark. Po ashtu duhet pasur parasysh që në një sistem proporcional për të fituar një mandat duhet një sasi e caktuar votash. Në zgjedhjet e vitit 2009 (nga të dhënat paraprake) rezultojnë 1 519 176 vota të vlefshme. Kjo shifër e pjesëtuar me numrin 140 të deputetëve jep numrin mesatar të votave prej 10851 vota për një mandat. Kjo do të thotë se duhen afërsisht 10851 vota për të fituar një mandat dhe nëse synohen të themi pesë mandate kjo duhet shumëzuar me pesë, pra, del afërsisht 10,851 x 5=54,256 vota.
Le të marrim tre qarqe ku diskutohet shumë mospërputhja e votave me mandatet.
Vlorë: Koalicioni i drejtuar nga PS ka vota për më pak se 7 mandate...
Në Vlorë e cila ka 12 mandate BPN i drejtuar nga PS ka marrë 58194 vota ose 54.9 për qind. Kjo përqindje e shumëzuar me 12 del 54.9 % x 12= 6.59 deputetë që e rrumbullakosur do të thotë jo më shumë se 7. Pra, nuk ka asnjë shans me votat e grumbulluara të merren më shumë mandate në Vlorë dhe konkretisht 7 mandate ka fituar koalicioni i drejtuar nga PS. Në Vlorë thuhet se kemi BPN ka marrë rreth 18,500 mijë vota më shumë se APN dhe kjo është e vërtetë. Por 18,500 vota nuk vlejnë më shumë sesa dy mandate më shumë (18,500 pjesëtim për 10,851 del afërsisht 2 mandate) dhe prandaj BPN ka fituar 2 mandate më shumë sesa APN dhe nuk mund të kishte më shumë me këtë diferencë votash. Gjithçka tjetër është e pavërtetë dhe tentativë për të mashtruar votuesit.
Elbasan: Koalicioni i drejtuar nga PS ka fituar vota për më pak se 7 mandate...
Në Elbasan i cili ka 14 mandate BPN ka fituar 73255 vota ose 47.8 për qind të votave pra, më pak se 50 për qind. Për rrjedhojë, me më pak së gjysma e votave nuk ka asnjë shans të fitohen 8 mandate pra, më shumë se gjysma e 14. Më konkretisht po të shumëzohet përqindja 47.8 % me 14 del 6.68 mandate pra në asnjë rast nuk mund të fitohen më shumë sesa 7 mandate. Pra, argumenti i fitimit të 7 mandateve duhet kërkuar të sasia e votave të grumbulluara dhe jo tek formula e sistemit. Po ashtu, thuhet se BPN ka fituar më shumë vota se APN; edhe kjo është e vërtetë, por BPN ka fituar vetëm 4,159 vota me shumë, të cilat nuk mjaftojnë për të pasur një mandat më shumë sepse për një mandat siç e thamë duhen rreth 10,851 vota dhe me këtë logjikë të sistemit proporcional nuk është “fajtor” sistemi apo formula, por sasia e votave të grumbulluara.
Fier: Koalicioni i drejtuar nga PS ka marrë vota sa për 8 mandate...
Në Fier, i cili ka 16 mandate BPN ka fituar 91,723 vota ose 51.8 për qind të votave. Nëse do t’i përmbaheshim logjikës së sistemit proporcional BPN duhet të fitonte 51.8 x 16=8.29 mandate që me rrumbullakosje del 8 mandate. Në fakt, sistemi ka favorizuar pak koalicionin e drejtuar nga PS, i cili ka fituar 9 mandate. 
Në shkallë kombëtare APN ka fituar rreth 24 mijë vota më shumë sesa BPN...
Në shkallë kombëtare (ndonëse sistemi është proporcional rajonal) aleanca e drejtuar nga PD ka grumbulluar rreth 24 mijë vota më shumë sesa koalicioni i drejtuar nga PS. Nëse sistemi do të ishte proporcional i pastër kjo diferencë në vota do të përkthehej në 2-3 mandate diferencë. Pra, edhe në këtë këndvështrim sistemi shfaqet legjitim.
Përfundimisht është vërtetuar edhe në praktikën e këtyre zgjedhjeve në Shqipëri legjitimiteti i lartë i një sistemi proporcional. Nga literatura dihet se sistemet proporcionale janë më legjitimët në kuptimin që numri i mandateve të fituara është në përpjesëtim të drejtë me sasinë e votave të grumbulluara. Nuk ndodh kështu me sistemet maxhoritarë apo të përzier, me të cilët mund të ndodhë që një subjekt elektoral të ketë më pak vota dhe me shumë mandate dhe kjo është e kuptueshme dhe e pranueshme...
Në vend të prognozës....
Nëse Shqipëria do të qëndrojë në familjen e sistemeve proporcionale dhe nëse tri forcat kryesore politike do të sigurojnë mbështetje elektorale (ne vota) afërsisht të njëjtë me atë të vitit 2009 (gjë që me shumë gjasa mund të ndodhë) me siguri të lartë mund të pohoj se nuk do të këtë asnjë mundësi që PS e PD të garantojnë më shumë mandate se kanë fituar në vitin 2009. Kurse LSI do të mund të sigurojë një numër mandatesh të së njëjtit rend madhësie ndërkohë, që nuk do të mund të marre rol më të madh se çka aktualisht. Nëse do të vendoset një sistem me prag kombëtar apo ky aktuali me korrigjim kombëtar, nisur nga fakti që PS e PD nuk kanë marrë përkatësisht më shumë sesa 40.9 për qind dhe 40.2 për qind të votave në shkallë kombëtare nuk ka asnjë shans që secili prej të tyre të marrë më shumë sesa 57-60 mandate kuvendore, ndërkohë që Kuvendi do të kishte përsëri mbi 10-12 parti në Kuvend me 1-2 deputetë secila. Kjo është mesa duket një nga sfidat e vjetra me të cilat do të përballet përsëri politika shqiptare në të ardhmen... Dhe për më tepër kjo është tashmë e ditur dhe e provuar. Për momentin përfundimi më i rëndësëshëm është se sistemi zgjedhor ka prodhuar rezultat zgjedhor legjitim dhe rezultat legjitim do të thotë se ajo që presin votuesit nga vota e hedhur prej tyre është përkthyer në mandate. Në këtë përfundim nuk merret parasysh çështja e administrimit të zgjedhjeve që mund të jetë me ndikim në rezultatin zgjedhor ose jo, gjë e cila varet nga përmasat e parregullsive dhe deformimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›