E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe nuk thërret Kapllanin dhe Berishën

 

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Ku-zhe, bëri publike listën e 20-të lojtarëve të thirrur për ndeshjen miqësore kundër Qi-pros (12.08.2008, ora 19:00 në "Qemal Stafa"), e dyta nën drejtimin e kroatit pas asaj me Gjeorgjinë (10.06.2009) të përfunduar në barazim 1-1 (gol i Agollit për Shqipërinë). Tre mungesa "surprizë" (Kapllani, Berisha e Bylykbashi) dhe një "fytyrë e re" befasuese (Franc Veliu), kjo është risia e Kuzhes në listën e tij.

Veteranët
Lorik Cana do të mbërrijë në Shqipëri për herë të parë pas transferimit të tij te Sandërlendi në Premier Ligën angleze. Në ndeshjen e fundit me Kombëtaren, atë kundër Portugalisë, ish-kapiteni i Olimpikut të Marsejës, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, ndërkohë që e ndoqi nga tribuna "VIP" ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Edhe pse ende pa ekip, edhe Ervin Skela është në listën e të mëdhenjve të Kombëtares së Shqipërisë, ashtu si Klodian Duro, i porsa transferuar te Apollon Limasol në Qipro. Veterani Erjon Bogdani është në vijën e parë me Hamdi Salihin. Isli Hidi, Ervin Bulku e Ansi Agolli, "treshja e muskutjerëve" të Krivbasit i japin bukuri listës, ndërkohë që "dyshja e hekurt" e Vorsklës, Debatik Curri e Armend Dallku, forcë e ritëm. Në repartin e mbrojtjes, prania e Kristi Vangjelit (Aris Selanik), Elvin Beqirit (Vllaznia) e Andi Lilës (Tirana) është thjesht një formalitet tradicional.

Debutuesit
Mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu, do të jetë edhe fytyra e re e Kombëtares anti-Qipro. Vlonjati, për të cilin përflitet se së shpejti do të testohet me Sëlltikun në Skoci, e ka merituar një vend midis 20 lojtarëve të thirrur për shkak të performancës së tij. Mesfushori durrsak Emiljano Vila, i huazuar nga Dinamo e Zagrebit, te ekipi satelit i kampionëve të Kroacisë, Lokomotiva Zagreb, rikonfirmoi vendin e tij, pas debutimit thuajse perfekt në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Edhe mesfushori i Tiranës, Jetmir Sefa, thuajse e ka "çimentuar" vendin e tij në përfaqësuese, ashtu si Elis Bakaj e Gilman Lika (i transferuar te Boluspor në Turqi).

Mungesat
Kapiteni zyrtar i Shqipërisë, Altin Lala, edhe këtë radhë nuk e ka fatin të jetë nën urdhrat e Kuzhes, madje nuk ka qenë asnjëherë i grumbulluar qysh kur kroati ka marrë drejtimin e Kombëtares. Lala, aktualisht në rikuperim e sipër nga një dëmtim muskulor, nuk ishte as në grumbullimin kundër Portugalisë e Gjeorgjisë. Në raport me listën e parë për ndeshjet kundër Portugalisë (zyrtare, humbëm 2-1 në Tiranë) dhe Gjeorgjisë (miqësore, barazuam 1-1 në "Qemal Stafa", sulmi është reparti ku bien në sy edhe mungesat e mëdha: Edmond Kapllani (i transferuar këtë verë nga Karlsruhe te Augsburgu) dhe Besart Berisha (nga Bërnli në Angli te Arminia Bielefeld në Gjermani). Edhe në prapavijë, mungesat kanë të bëjnë me emrat e Endri Vrapit (Dinamo) dhe Admir Telit (luan në Azerbajxhan me Karabak). Në mesfushë emri që bie në sy është ai kapiteni të Krivbasit në Ukrainë, Dorian Bylykbashi.

Ndeshjet me Qipron

19 gusht 1998
Qipro-Shqipëri   3-2
Trajner: Astrit Hafizi
15 gusht 2000
Shqipëri-Qipro         0-0
Trajner: Medin Zhega
19 gusht 2004
Qipro-Shqipëri 2-1
Trajner: Hans Peter Brigel
12 gusht 2009
Shqipëri-Qipro 19:00
Trajner: Josip Kuzhe
Bilanci:
3 ndeshje, 0 fitore, 1 barazim, 2 humbje. Golaverazhi: 3-5

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›