Lorik Cana: Me Bent jemi ekip i kompletuar
Lorik Cana është mjaft i kënaqur me pritjen që i kanë rezervuar tifozët e Sanderlendit. Ndaj Peterborough mesfushori shqiptar luajti për 90 minuta duke treguar një nivel të lartë loje. Pikërisht për shpirtin e garës fansat e "maceve të zeza" e kanë përshëndetur njëzëri. "Nuk ishte keq si 90 minutësh i parë që kam luajtur me skuadrën e Sanderlendit. Është shumë e rëndësishme për mua që të luajë në këto ndeshje të pre-kampionatit ndaj uroj që të jem në fushë edhe të shtunën ndaj Hearts. Vetëm kështu do të arrij të jem i gatshmë për startin e kampionatit", ka pohuar Lorik Cana në një intervistë për mediat angleze. Më pas Cana ka falënderuar tifozët e shumtë që kanë brohoritur emrin e tij në stadium. "Dua të falënderoj fansat që më mbështetën si në ndeshjen e parë ndaj Sëlltik por edhe ndaj Peterborough. Dëshiroj shumë tu jap atyre atë çka ata vërtet presin. Natyrisht nuk jam në 100 përqindëshin tim por me kalimin e kohës do të përmirësohem", ka thënë Cana. Më tej mesfushori kuqezi ka mirëpritur edhe kalimin e Darren Bent nga Totenham te Sanderlend. "Është një futbollist shumë i mirë. Ai do të na ndihmojë shumë në linjën e sulmit ndaj është detyra jonë tani që të furnizojmë me sa më shumë topa", ka pohuar Cana.