E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anila Godo: Do dal nga ministria më e varfër seç hyra

 

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka sqaruar dje të vërtetën lidhur me deklarimin e pasurisë. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ajo theksoi se deklarimi i bërë publik nga Inspektorati ka pasur gabime teknike dhe pasi është korrigjuar është vërejtur se shumat e bëra publike ditë më parë nuk kanë qenë të sakta. “Unë do të dal nga kjo ministri, pak më e varfër se ditën që hyra. Si mjeke, gjatë 28 vjetëve, s’kam pranuar kurrë një lek bakshish. Këtë e dëshmojnë gjithë pacientët e mi dhe e dinë mirë edhe gjithë mjekët, infermierët dhe bashkëpunëtorët e mi. S’mund të lejoj të përflitet kjo e vërtetë ngado që të vijë”, tha Godo.
Zonja Godo, ILDKP ka publikuar pasuritë e zyrtarëve të lartë, mes të cilëve dhe ju. Por deklarata juaj e pasurisë shkaktoi debate me publik. Si është e vërteta?
E vërteta është ajo që kam thënë në deklaratën time për shtyp në tre gusht: S’ka asnjë depozitim, as të shpejtë as të ngadaltë, për arsyen e thjeshtë, se s’kam pasur asgjë për të depozituar.
Ju nuk keni reaguar ndaj kritikave. Përse ky reagim i ashpër në këtë rast?
Gjëja që të inatos më tepër është akuza për atë që nuk e ke bërë. “Depozitat e shpejta në dhjetëra mijëra euro”, aludonin haptas se unë po bëj plaçkitje në Ministri. Kështu do ta kuptonte çdokush. Kurse unë do të dal nga kjo Ministri, pak më e varfër se ditën që hyra. Si mjeke, gjatë 28 vjetëve, s’kam pranuar kurrë një lekë bakshish. Këtë e dëshmojnë gjithë pacientët e mi dhe e dinë mirë edhe gjithë mjekët, infermierët dhe bashkëpunëtorët e mi. S’mund të lejoj të përflitet kjo e vërtetë ngado që të vijë.
Por mediat e kanë marrë deklarimin tuaj të pasurisë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të pasurive...
Masmedia u shpejtua të flasë për “depozita të shpejta personale” të miat. Duket se burimi i gjithë kësaj historie është një gabim teknik, bërë në faqen e deklarimit “shtesa, pakësime”. Bashkëshorti im ka pasur një depozitë prej 90,000 euro, të ardhura nga shitja e një prone të trashëguar nga e ëma. Ndërkohë ai ka tërhequr 32,000 euro për problem shëndetësor. Pra, edhe duke bashkuar ato 230 euro që kam unë në bankë me ato të burrit, kemi tërheqje dhe jo depozitime. Them se pavarësisht se në formularin e plotësuar kish një gabim që mund të çonte edhe në një interpretim të gabuar, po të shihej më me vëmendje, ky gabim do të diktohej edhe nga mediat, të cilat u ngutën me të tepërt të përfitonin nga situata. Nëse do isha informuar më mirë, ose të më ishte drejtuar mua, nuk do ishte ngritur gjithë ky pluhur i panevojshëm. Sidoqoftë, gabimi është korrigjuar me procesverbal dhe drejtori i Inspektoratit të Lartë i ka dërguar medias deklaratën.
Pra, sipas jush është vetëm një keqkuptim?
Të nesërmen media vijoi përsëri të shkruante se unë e paskam mizën nën kësulë. Ku është kësula dhe ku është miza? Dhe shkruan se nuk duhet të ankohem meqë të tjerët janë akuzuar për shumë më tepër. Rreth kësaj duhet të mendohemi pak. Gazetarët paskan të drejtë të bëjnë çdo lloj akuze, të ndjehen të lumtur e të qetë, dhe ata që akuzohen të heshtin. Kjo nuk qëndron. Më në fund të mos u përgjigjesh fare gazetave do të thotë nënvleftësim ndaj tyre.
Në deklarimin tuaj të parë thoni se do të nisni ndjekje ligjore ndaj atyre që ju akuzuan. Si do të pajtohej kjo me deklaratën e Kryeministrit Berisha, se qeveria e tij nuk do të padisë në asnjë rast gazetarët dhe çdo të bëni më tej?
Nuk di se në ç’kontekst e ka thënë këtë Kryeministri. Nuk besoj që ai t’u kërkojë ministrave të ulin kokën kur akuzohen publikisht për vjedhje. Sa për mua, jam këshilluar me juristët dhe them se do të heq dorë nga padia. Dua të jem e drejtë deri në fund, me veten dhe të tjerët. Gazetari e gjeti burimin te gabimi në formularin e deklarimit të pasurive. Nëse u ngrit me të tepërt, apo veproi me tendencë, kjo mbetet në ndërgjegjen e tij. Gjithsesi, kjo nuk është gazetari korrekte dhe konstruktive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›