E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis operimin Z-mobile

Kompania kosovare Dardaphone ka lansuar operatorin e saj virtual mobil “Z-mobile”, i cili do të operojë në treg si bashkëpunëtor i Valës. Kjo kompani është licencuar nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit të Kosovës (ART) dhe është partner operator i Valës.

Sipas koordinatorit të kësaj kompanie, Milot Gjikolli, “Z-mobile” fillimisht do të plasojë dy produkte, atë të zërit dhe mesazheve, për t’iu mundësuar konsumatorëve të komunikojnë me dy operatorët aktualë të telefonisë mobile dhe një operator virtual.

“Z-mobile” do të operojë në treg me telefonin NOKIA, pasi ka kontratë me këtë kompani për të ofruar shërbime sa më cilësore. Me këtë kontratë, Gjikolli tha se çdo defekt i cili mund të paraqitet në rrjetin e ‘Z-mobile’, do të rregullohet brenda dy orëve.

“Çmimet do të jenë përafërsisht të njëjta me Valën dhe prefiksi i kësaj telefonie do të jetë 045 dhe numrat që fillojnë me 5 dhe 6”, ka thënë Gjikolli, të premten me rastin e lansimit të këtij operatori.

Ai shtoi se me zhvillimin e fazave që ka paraparë kjo kompani, përveç dy shërbimeve fillestare, do të shtohen produktet, të cilat do t’u ofrojnë klientëve shërbime cilësore.
“Në hulumtimet që kemi bërë, në tregun e telefonisë mobile në Kosovë ka vend për zhvillimin e mëtejshëm të këtij lëmi, ka vend për rritjen e numrit të konsumatorëve dhe për shërbime shtesë, të cilat tregu i vendit nuk i ka akoma”, është shprehur ai.

Ai më tutje tha se kompania të cilën e drejton do të konkurrojë në një treg të denjë, duke potencuar se Vala nuk do të jetë konkurrent i tregut, por partner në treg. Ndërkaq për telefoninë mobile Ipko është shprehur se do ta ketë konkurrent ashtu siç e do tregu. Dardaphone është një kompani me kapital të përzier dhe bashkëpronarë të saj janë Korporata Devolli dhe K-com, kompani amerikane.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›