Situata e përmbytjeve, presidenti Topi takohet me ministrin e Energjetikës, Prifti

Tiranë, 11 janar, NOA Presidenti i
Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë për të zhvilluar një takim pune
të thirrur prej tij me ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti.
Lajmi bëhet me dijeni paraprakisht nga burime pranë
Presidencës për agjencinë e Lajmeve NOA, të cilat sqarojnë se qëllimi i këtij
takimi është diskutimi mes palëve i situatës
emergjente të krijuar nga përmbytjet në veri të vendit.
Mësohet se kreu i shtetit do ti kërkojë të dhëna
konkrete ministrit për të gjithë treguesit e situatës, ndërsa ky i fundit do ti
paraqesë edhe rrugëdaljet nga situata e vështirë.
Po me qëllimin e diskutimit të përmbytjeve, presidenti
Topi zhvilloi dje një takim edhe me ekspertin e njohur të hidrocentraleve dhe
digave, prof. Farudin Hoxhën, i cili kryen funksionin e Kryetarit të Komitetit
të Digave të Mëdha.
Takimi u mbajt në vazhdën të disa konsultimeve
që kreu i shtetit po zhvillon me ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të
fushës hidrike, sikundër është edhe ai i sotmi me ministrin e Energjetikës, për
të gjetur rrugët e duhura të kapërcimit të situatës së vështirë të krijuar nga përmbytjet
në veri të vendit.
n.e/NOA