E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata emergjente në veri të vendit vijon me fshatra dhe komuna të bllokuara nga dëbora

Autori i Lajmit: red.
Ka vijuar edhe ditën e djeshme situata emergjente në veri të vendit ku prej disa ditësh një numër i konsiderueshëm fshatrash e komunash janë të bllokuara nga dëbora. Sipas drejtorit të Emergjencave Civile, Alferd Olli, "deri tani nuk është regjistruar asnjë aksident apo ngjarje tjetër si pasojë e rrëshkitjes nga akulli, por moti i keq ka bërë të pamundur ndërhyrjen nga ajri me helikopter në raste emergjencash shëndetësore. Gjatë ditës së diel, sipas tij, një grua 40-vjeçare nga fshahti Xibër i rrethit Bulqizë, e sëmurë kronike, ka rrezikuar jetën si pasojë e izolimit, por shtabet e emergjencës kanë mundësuar transportimin e saj deri në spitalin e Matit". Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, njoftoi se mbi bazën e informacioneve të marra nga komisionet e emergjencave civile pranë Institucionit të Prefektëve, nga Drejtoritë e Policisë në qarqe, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, si edhe pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, situata gjatë 24-orëshit të fundit për shkak të reshjeve paraqitet si më poshtë: “Aktualisht në rrethin e Kukësit situata është mjaft e rënduar dhe pothuajse të gjitha komunat janë të bllokuara.
Në rrethin e Tropojës janë të bllokuara të gjitha rrugët për në qendrat e komunave. Trashësia e borës në qytetin e Bajram Currit është 60 cm dhe vazhdon të bjerë. Qarku Shkodër: Në rrethin e Pukës vazhdon bora me intensitet, me erë të fortë dhe me ngrica. Aktualisht, të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme, por me vështirësi dhe me zinxhirë. Aksi Qafë-Mali - Fierzë dhe Fierzë-Bajram Curri, e kalueshme me zinxhirë. Në këtë rreth vazhdon të bjerë borë me intensitet, e shoqëruar me erë të fortë. Në rrethin e Pukës vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët për në komunën e Iballës dhe të Qelzës. Në qytetin e Pukës ka filluar qysh mbrëmë dëbora intensive dhe situata po rëndohet, megjithatë rrugët janë të hapura dhe shtabi i emergjencave është në gatishmëri të plotë. Një situatë problematike u krijua dhe në aksin Lezhë-Shkodër, pasi bora e imët që binte e bëri asfaltin mjaft të rrëshqitshëm dhe rrezikonte aksidentimin e mjeteve. Me ndërhyrjen që bëmë në Drejtorinë Rajonale të Rrugëve u bë e mundur hedhja e kripës dhe e skorjeve, masë që lehtësoi qarkullimin dhe shmangu rrezikun për aksidente. Borë ka rënë edhe në qytetin e Shkodrës, ku trashësia ka arritur në 15 cm. Në këtë rreth është e bllokuar rruga Pogë-Shalë. Në rrethin e M.Madhe është e bllokuar rruga Tamarë-Vermosh. Gjatë pasditës së djeshme janë bllokuar disa pasagjerë që shkonin për në fshatin Mzi dhe Miliska të komunës Fierzë, të cilët me ndihmën e forcave të policisë dhe pasi rruga u hap në afërsi me fshatin Iballë, të shoqëruar nga policia u strehuan në këtë fshat. Në Malësinë e Madhe janë të bllokuara komunat Kelmend, Shalë dhe Shosh. Qarku Dibër: Reshjet e borës edhe gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës kanë rënë me intesitet dhe erë shumë të fortë. Për pasojë janë bllokuar pothuajse të gjitha rrugët e komunave në të gjithë qarkun. Situata është rënduar shumë gjatë natës. Trashësia e borës në Peshkopi dhe në qytetin e Bulqizës ka arritur deri në 60 cm. Rruga nacionale Peshkopi-Shupenzë-Bulqizë-Burrel raportohet e kalueshme me shumë vështirësi, por vetë fakti që temperaturat kanë zbritur deri në -8 gradë C dhe borë ka rënë gjithë natën me erë të fortë, sa pastrohet mbyllet përsëri, megjithëse firmat kontraktore vazhdojnë punën. Qarku Elbasan: Ditën e shtunë në orën 22:15 u njoftuam për 6 pasagjerë të nisur për në Stërblevë, që kishin mbetur në rrugë. Ne kontaktuam me Komisariatin e Policisë në Librazhd të cilët pasi kontaktuan me Komandën e Kufirit në Stërblevë dhe me kryetarin e Komunës u mundësua kalimi tyre deri në fshatin më të afërt, ku kaluan natën. Në qarkun e Korçës nga reshjet e borës janë krijuar mjaft vështirësi në akset Korçë-Ersekë, në Qafën e Qarrit, në aksin rrugor Korçë-Pogradec-Qafë- Thanë, pasi ka ngrica dhe nga efektivat e Policisë Rrugore lejohen të kalojnë vetëm mjetet me zinxhirë. Po kjo situatë është dhe në rrugën Përrenjas-Qafë-Thanë. Akset nacionale në të gjithë qarkun janë të kalueshme dhe komuna të bllokuara nuk ka. Me urdhër të Kryeministrit u mobilizuan të gjitha forcat e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e rendit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të mbështetur forcat e Policisë Rrugore për të ngritur postblloqe për organizimin dhe drejtimin e automjeteve në akset rrugore problematike. Gjithashtu, forcat e xhenios do të mobilizojnë të gjithë potencialin e mundshëm njerëzor dhe të mjeteve për të mbështetur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve. Eshtë për t u theksuar se, megjithë kushtet e motit që kemi në sezonin e dimrit që jemi, situata është nën kontroll, pasi të gjitha shtabet qendrore në qarqet verilindorë janë në gatishmëri dhe bashkëveprojnë me nënshtabet e ngritura pranë pushteteve vendore. Të tre qarqet problematike nuk kanë patur probleme me furnizimin me energji elektrike, përjashto ndonjë defekt të përkohshëm në fshatra të veçanta. Efektivat e Policisë Rrugore janë në krye të detyrës duke organizuar dhe drejtuar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, Drejtoritë Rajonale dhe Drejtoritë Rurale të Rrugëve me të gjithë potencialet e tyre me njerëz dhe me mjete, po punojnë për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës dhe skorjeve. Zonat e thella malore, dyqanet dhe tregtarët e artikujve ushqimorë janë të furnizuar dhe nuk presim situata problematike, edhe në qoftë se moti do të vazhdojë me reshje bore dhe me ngrica. Ditën e diel që në orën 04:00, Komanda e Forcës së Bashkuar ka nisur në drejtim të Qafës së Malit një borëpastruese, si dhe një karroofiçinë dhe një mikrostacion për ndërlidhje. Gjithashtu, Komanda e Bashkuar ka urdhëruar 40 trupat e KMR Kukës me mjetet e tyre të jenë të gatshëm për çfardo ndihmë që do t u kërkohet”, - ka përfunduar Olli.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›