E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Kukës-Peshkopi është e pakalueshme

Autori i Lajmit: red.
Drejtori i Emergjencave, Olli, ka shpjeguar në një dalje publike edhe sutuatën në zonën e Peshkopisë duke thënë se “me vështirësi kalohet dhe rruga e Arbrit, pasi këtu veç vështirësive të krijuara nga moti, rruga duke qenë në ndërtim, ka probleme si rrëshqitje dherash, dhe kuptohet ka bllokime të përkohshme. Dje në këtë aks rrugor vështirësitë e qarkullimit janë shtuar edhe më shumë, pasi firma sipërmarrëse në këtë aks rrugor nuk ka punuar. Sot në një takim emergjent që u zhvillua nga shtabi i emergjencave pranë prefektit janë futur në punë të gjitha mjetet e firmës nënkontraktore. Në mëngjesin e djeshëm në komunën Xibër, rrethi i Matit ka pasur një emergjencë mjekësore. Një grua ka pasur shqetësime shëndetësore dhe nga fshati ka zbritur në qendrën shëndetësore të komunës. Pasi mori mjekimet e para ajo po trajtohet në këtë qendër sipas terapisë të përcaktuar nga mjeku kirurg i spitalit të Burrelit. Në rast përkeqësimi, Drejtoria e Policisë e qarkut të Dibrës ka dërguar një mjet me kalueshmëri të lartë për ta transportuar pacienten në spitalin e Burrelit. Dje në orën 16:30 mbetën të bllokuar dy furgona me pasagjarë, por pasi kontaktuam me drejtorin e rrugëve, për në vendndodhjen e tyre u dërgua menjëherë një fadromë për hapjen e rrugës, por pasagjerët nuk mbërritën dot në fshatin Xibër, por u strehuan në shtëpitë në afërsi me vendin e quajtur Gurët e Bardhë deri ku u mundësua hapja e rrugës. Edhe pasagjerët që udhëtonin për në komunën Kala e Dodës dhe Selishtë, megjithëse në dizpozicion të tyre është dërguar një fadromë, por rruga u bë e kalueshme deri në fshatin Vleshë, komuna Sllovë, ku u strehuan për natën, ndërsa udhëtarët për në komunën Reç, mbërritën deri në fshatin Zall-Dardhë ku pasagjerët kaluan natën”, - tha ai.

Harta e gjendjes së rrugëve

Në qarkun e Kukësit: Janë të kalueshme me zinxhirë akset:
1- Kukës-Tiranë, Kukës-Morinë,
2- Krumë-Tiranë, Kukës-Has.
3- Bajram Curri - Qafë Morinë, Bajram Curri-Fierzë
Ndërkohë rrugët drejt komunave të këtij qarku vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të reshjeve të shumta të dëborës.

Në qarkun e Shkodrës: Janë të kalueshme me zinxhirë akset:
1- Qafë Mali-Fierzë, Qafë Mali-Fushë Arrëz, Qafë Shllak-Kukës është i kalueshëm me zinxhirë.
Janë të bllokuara akset Fushë Arrëz-Iballë dhe Qafë Çelë-Iballë.
Po ashtu janë të bllokuara akset Bogë-Qafë Thore Theth, Dukagjin-Theth Qafë Thorre, Tamarë-Vermosh.

Në qarkun e Dibrës:
Aksi rrugor nacional në Qafën e Buallit është i kalueshëm me zinxhirë. Ndërkohë rrugët që lidhin komunat Kala e Dodës, Selishtë, Lurë, Ostren, Martanesh janë të bllokuara.

Në qarkun e Lezhës:
Vështirësi paraqitet në aksin Mirditë-Kukës, i cili është i kalueshëm me zinxhirë.

Në qarkun e Korçës:
Aksi Qafë Thanë-Qafë Plloçë është i kalueshëm me zinxhirë. Po ashtu dhe akset Korçë-Pogradec, Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Devoll janë të kalueshme me zinxhirë. Përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm dhe në akset Devoll-Kapshticë dhe në aksin rrugor në drejtim të Ersekës.

Në qarkun e Elbasanit:
Vështirësi paraqitet në aksin Librazhd-Qafë Thanë ku është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›