E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata në Lezhë, RENEA merr në ruajtje spitalin dhe gjykatën

Policia ende nuk ka njoftime për të arrestuar, por dyshon se në konflikt janë përfshirë më shumë se 20 persona. Dyshohet se janë përdorur më shumë se dy armë

Frika për një hakmarrje apo zgjerim të përleshjes në spitalin e qytetit të Lezhës, ku ndodhen të afërm të të dyja palëve, ka bërë që menjëherë pas momentit të parë të vënies nën kontroll të situatës nga policia lokale dy institucionet ku mendohet se mund të ketë probleme janë marrë në mbrojtje nga RENEA. Burime nga policia thanë se forcat speciale mbajnë nën kontroll spitalin e Lezhës dhe po ashtu kanë vënë në ruajtje edhe gjykatën e qytetit, ndërkohë që deri mbrëmë vonë nuk kishte njoftime për të arrestuar.

Hetimet

Edhe pse për policinë është e qartë se cilat janë palët e përfshira në konflikt, gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes dhe numri i tyre kanë ngritur dyshime se veç të plagosurve ka pasur edhe të tjerë të armatosur në oborrin e gjykatës, të cilët kanë qëlluar. Sipas policisë, nga një këqyrje paraprake e vendit të ngjarjes dhe mbledhja e provave aty është parë se ishin përdorur më shumë se 2 pistoleta, të cilat policia i ka sekuestruar. Ndërkohë, për të mundësuar një zbardhje të shpejtë të konfliktit në Lezhë kanë zbritur edhe ekspertë të kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme. Hetimet paraprake kanë treguar motivet dhe arsyet se përse palët ishin në konflikt, ndërkohë shpresohet që me marrjen në pyetje të mund të zbardhen edhe nëse kemi të bëjmë me një skenar të përgatitur. Policia dyshon se arsyeja pse palët ishin paraqitur të armatosura në dyert e gjykatës ka qenë ajo e ushtrimit të presionit, ndërsa duket se të dy krahët kanë qenë përgatitur për diçka të tillë.

Siguria

RENEA e mbërritur nga Tirana ka marrë dje në mesditë në ruajtje qoftë spitalin e Lezhës ku ndodhen të shtruar 2 nga të plagosurit e përfshirë në konflikt, qoftë gjykatën e këtij qyteti. Burime nga policia thanë se masat janë marrë për të penguar një përshkallëzim të dhunës dhe përplasje të përkrahësve të këtyre fiseve edhe në dyert e spitalit ku ndodhen nën ruajtjen e policisë dy të plagosurit. Nga ana tjetër edhe dyshimet për një përfshirje më të gjerë në këtë konflikt, kanë bërë që forcat e policisë së Lezhës të kërkojnë ndihmë nga Tirana për të mbajtur nën kontroll situatën në qytet. Nga ana e saj policia ende po heton për zbardhjen e ngjarjes. Ajo duket se ka marrë masën e ndalimit dhe ka marrë në ruajtje personat e plagosur, të cilët edhe akuzohen për atë që ndodhi në dyert e gjykatës. Ndërkohë, mësohet se janë marrë në pyetje të tjerë persona të përfshirë në ngjarje, përfshi edhe palët në gjyq apo dëshmitarë të rastit dhe punonjës të sigurisë në gjykatë.

Gjyqi dhe konflikti mes dy familjeve

Familja e Nikolin dhe Dedë Zefit, kishin paditur në gjyq Mhill Ndreun, ish-kryetar i PD-së rrethit të Lezhës, pasi ky kishte ndërtuar një lokal dhe hotel mbi tokën e tyre. Konflikti mes palëve kishte disa muaj që kishte nisur dhe përplasja në dyert e gjykatës duket se ishte rezultat i një tensioni të ushqyer prej ditësh. Sipas anëtarëve të njërës prej palëve, sherri dje ka filluar pasi të afërmit e Mhill Ndreut kanë dyshuar se një nga sekretaret e gjykatës ishte edhe e familjes Deda dhe nuk kanë pasur besim te dhënia e drejtësisë dhe kanë nisur të ofendojnë dhe kërcënojnë palën tjetër. Por nga ana tjetër palët kanë shkuar në gjykatë të armatosura dhe sipas policisë ata kanë qenë përgatitur për mundësinë e një përplasjeje.

Të dhëna

Gjyqi midis palëve Mhill Ndreu me Nikolin e Ded Zefi nga Shëngjini

Gjykimi për një hotel dhe një lokal, pronësinë e truallit të të cilit pretendojnë palët

Palët në konflikt

Mhill Ndreu shoqërohej nga viktima, nipi i tij Endri Bejtja dhe Sokol Sejdia, mik i këtij të fundit. Policia mendon se të paktën njëri prej tyre ka qenë i armatosur, ndërsa dëshmitarë të ngjarjes thonë se viktima ka qenë i pari që ka përdorur armë ndaj palës tjetër. Nuk është sqaruar ende nëse ka pasur të tjerë persona të lidhur me ta.

Nikolin e Dedë Zefi, shoqëroheshin në gjykatë nga i afërmi i tyre Alban Deda, i plagosur gjatë përplasjes dhe Arben Nikula mik i këtij të fundit. Ndërsa thuhet se me ta ndodhej edhe punonjësi i policisë rrugore, Dritan Lorenci. Sipas dëshmitarëve, Deda ka qenë i armatosur, ndërsa nuk dihet nëse ka pasur edhe të tjerë të armatosur në këtë përplasje.

Viktima me dokument policie fals

Emri i viktimës së përleshjes së djeshme është ngatërruar fillimisht, pasi në spitalin e Lezhës ai ishte shënuar sipas dokumentit që i ishte gjetur në xhep, që rezultonte si Endri Pepa dhe ishte agjent i policisë. Dokumenti që ka rezultuar fals. Ndërsa identiteti i tij është bërë i ditur nga ana e dajës së tij Mhill Ndreu, i cili ka deklaruar se ai ishte Endrit Pal Bejtja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›