E Diel, 1 Nëntor 2026

“Remzi Hoxha”, Gjykata e Lartë i hap rrugën ekstradimit të Kumbaros

SHKRUAN: Leonard Bakillari 15-10-2011 10:57

Tiranë Pas një odiseje gjyqësore, që zgjati më shumë se një vit, Gjykata e Lartë i hapi dje rrugën ekstradimit të Ilir Kumbaros, i akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës. Vendimi u dha pasditen e djeshme nga Kolegjet e Bashkuara, ku gjyqtarët e Gjykatës së Lartë e quajtën të ligjshëm arrestin e Ilir Kumbaros. Ky vendim është mjaft i rëndësishëm për procesin e ekstradimit të ish-agjentit të Shërbimeve Sekrete Shqiptare, pasi gjykata britanike e kishte pezulluar çështjen ndaj Kumbaros, në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë. E megjithatë, vulosja e fatit të Kumbaros duket se nuk ka qenë një vendim i thjeshtë për Gjykatën e Lartë, duke zgjatur me orë të tëra. Kjo çështje ishte sjellë nga avokatët e Kumbaros, të cilët kundërshtuan masën e sigurisë që Krimet e Rënda vendosën ndaj tij, rreth dy vite të shkuara, pasi kërkuan interpretimin e vendimit, të cilin e quajtën jo të ligjshëm. Rreth një vit më parë, Kolegjet e Bashkuara ishin mbledhur për shqyrtimin e kërkesës së avokatëve të ish-agjentit të SHIK-ut, por ata u ndanë 6 pro dhe 6 kundër, duke e lënë çështjen pezull. Me emërimin e dy gjyqtarëve të rinj, Kolegjet e Bashkuara rimorën sërish në shqyrtim kërkesën e avokatëve, e cila në thelb kërkonte rrëzimin e masës së sigurimit “arrest me burg” që shkalla e parë kishte vendosur ndaj ish-oficerit të lartë të SHIK-ut. Avokatët pretenduan se kjo masë sigurimi ishte vendosur nga i njëjti gjyqtar që shqyrtonte çështjen në themel, pra që gjykonte tre ish-zyrtarët e SHIK-ut të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda për Remzi Hoxhën dhe dy persona të tjerë. Duke qenë se masa e sigurisë ishte vendosur gjatë kohës që të pandehurit ishin në gjykim, avokatët e kundërshtuan atë fillimisht në Apelin e Krimeve të Rënda. Por kjo gjykatë e rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Kumbaros, duke bërë kështu që çështja të shkojë në Gjykatën e Lartë. Kjo kërkesë vuri para një interpretimi juridik shkallën më të lartë të gjyqësorit, e cila tashmë krijoi precedentin se gjatë gjykimit i njëjti gjyqtar mund të caktojë edhe masë sigurimi ndaj të pandehurit, nëse një gjë e tillë shihet e nevojshme. Edhe rasti “Kumbaro” e ka zanafillën në Gjykatën e Lartë, e cila me nisjen e procesit gjyqësor në shkallën e parë rrëzoi masën e sigurisë ndaj ish-drejtuesit të SHIK-ut. Ky vendim i Gjykatës së Lartë shqiptare u përdor në Britani nga avokatët e ish-oficerit të SHIK-ut, për t’i kthyer atij lirinë, edhe pse asnjëherë ai nuk e pranoi se quhej Iir Kumbaro, por u paraqit me identitetin Shaqja Shatri, shtetas kosovar i ardhur në Angli për shkak të përndjekjes serbe. Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që liroi nga arresti Kumbaron, prokurori i çështjes kërkoi një masë të re arresti për ish-shikasin, i cili i fshihej drejtësisë shqiptare për 15 vite. Gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe masa e re e arrestit u dërgua në Londër, në rrugë diplomatike.

Si u pezullua ekstradimi në Londër

Dy muaj pasi gjykata britanike u njoh me vendimin e ri, urdhëroi riarrestimin e Kumbaros, i cili më pas iu nënshtrua një procesi gjyqësor për ekstradimin drejt Shqipërisë. Por avokatët e tij bënë rekurs kundër masës së arrestit, duke bërë që në Londër të pezullohej procesi për ekstradim, ndërsa gjykata vendosi lirimin e Kumbaros kundrejt një garancie pasurore prej 10 mijë stërlinash. Tashmë që Gjykata e Lartë shqiptare vlerësoi si të ligjshëm arrestin, i hapet rruga procesit gjyqësor që do të bëjë të mundur ekstradimin në Shqipëri të Ilir Kumbaros, i cili akuzohet për rrëmbim personi në bashkëpunim dhe tortura me pasoja të rënda.

Djali i Remziut: Mbrojtje për

Kumbaron, që e vërteta të zbardhet

Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës kërkon mbrojtjen e Ilir Kumbaros, gjatë ekstradimit nga Britania në Shqipëri. Në një reagim pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që i hap rrugën ekstradimit të ish-shikasit, Ardian Hoxha thotë se mbrojtja e Kumbaros do të mundësojnë zbardhjen e të vërtetës, 16 vjet pas zhdukjes pa gjurmë të të atit. “Gjithë opinioni e di, por edhe në Prokurori është dokumentuar që Ilir Kumbaro është ndër personat kyç të çështjes: është personi të cilit babai im i ka ngelur në dorë. Unë shpresoj që kur të vijë në Shqipëri, ai të verifikojë të gjitha gjërat. Nga ana tjetër do thotë që të mos eliminohet fizikisht, që e gjithë e vërteta të dalë në shesh”,- deklaroi Ardina Hoxha. Ai ka shprehur kënaqësinë e tij dhe të familjes që procesi po shkon para, ndërsa bën apel që të mos ketë zvarritje të tjera. “Normalisht, gjithmonë kur dëgjojmë që procesi shkon përpara jemi të kënaqur. Dhe e kundërta, kur nuk dëgjojmë se gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet, jemi të shqetësuar. Ne, siç deklarova edhe në konferencën për shtyp para disa ditësh, jemi duke pritur prej 16 vitesh që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të bëjë punën e vet. Dhe kërkojmë të mos zvarritet dhe procesi të shkojë përpara”,- tha djali i të zhdukuarit nga SHIK në vitin 1995.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›