E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për pronën, 1 i vrarë 5 të plagosur në dyert e gjykatës

Palët që ndodheshin në gjykatë për një gjyq prone, të gjithë të armatosur. Dy nga të plagosurit në gjendje të rëndë. Përplasja mes familjes Zefi dhe ish-kryetarit të PD-së së Lezhës, Mëhill Ndreu

Lezhë-Një gjyq për pronën është kthyer në betejë me armë në dyert e gjykatës së Lezhës, me një të vrarë dhe 5 të plagosur, një prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 9.30 të ditës së djeshme, ku ndërsa në sallë zhvillohej gjyqi, të afërm të dy familjeve të interesuara janë përplasur fillimisht me fjalë e më pas me armë zjarri në hyrje të gjykatës. Dëshmitarë okularë tregojnë se përleshja me armë në të cilën u qëllua për vdekje Endri Bejtja dhe u plagosën rëndë Sokol Sejdia, Alban Deda dhe Arben Nikulaj, ka zgjatur disa minuta, ndërsa janë përfshirë më shumë se 20 persona dhe ka qenë ndërhyrja e një oficeri policie që ka bllokuar armën e njërit prej të përfshirëve në ngjarje dhe ka marrë në mbrojtje dy të plagosur, që ka sjellë edhe ndalimin në një moment të sherrit.

Dinamika

Nikolin dhe Dedë Zefi kanë paditur në gjykatë Mëhill Ndreun, ish-kryetar i PD-së së Lezhës, sepse sipas tyre ai ka ndërtuar një hotel dhe një lokal në tokën e tyre në Shëngjin. Dje gjykata kishte thirrur palët dhe do të fillonte seanca e parë, një seancë që, sipas kryetares së Gjykatës së Lezhës, kishte vetëm efekt të njohjes me dosjen, sepse gjykimi i çështjes fillonte më vonë. Por palët duket se nuk janë paraqitur në seancë për t’u njohur me dosjen. Qoftë Ndreu, i padituri në këtë rast, qoftë vëllezërit Zefi, kanë qenë të shoqëruar nga grupe personash të afërt, një pjesë e mirë e të cilëve të armatosur. Ende është e paqartë sesi ka filluar sherri, por ajo që duket nga të dhënat e para është se të dyja palët ishin paraqitur të armatosur deri në dhëmbë dhe të gatshëm për ta mbyllur me gjak çështjen e pronës në diskutim. Nga të dhënat e mbledhura prej dëshmitarëve, mësohet se gjithçka ka filluar pasi përkrahësit e të paditurve që ndodheshin në oborrin e gjykatës kanë shprehur mosbesimin e tyre ndaj gjykatës, duke ofenduar një prej sekretareve që, sipas tyre, ishte motra e njërit prej të afërmve të palës paditëse edhe ky prezent në oborrin e gjykatës. Dëshmitarët, edhe pse kjo nuk është konfirmuar nga policia, thanë se ka qenë nipi i Mhill Ndreut, Endri Bejtja, që ka nxjerrë i pari armën dhe ka qëlluar ndaj grupit tjetër, më pas për disa minuta gjithçka ka qenë në kaos.

Përleshja

Policia ka sekuestruar dy armë, por, sipas saj, nga gëzhojat e mbledhura në vendin e ngjarjes gjatë përleshjes janë përdorur më shumë se dy pistoletat e sekuestruara. Ajo që policia ka të qartë është fakti se përleshja, që ka filluar me fjalë, është kthyer në një betejë menjëherë sapo i ndjeri Bejtja ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj kundërshtarëve Arben Deda dhe Arben Nikulaj. Dëshmitarët thonë se ka qenë Nikula ai që ka reaguar aty për aty pas të shtënave të para, duke qenë më i saktë se kundërshtari dhe plagosur rëndë Bejtjan. Sokol Sejdia që mesa duket ndodhej në krahun e 38-vjeçarit dhe kishte ardhur aty nga Tirana, ka nxjerrë edhe ai armën dhe ka qëlluar kundër Alban Dedës dhe Arben Nikulajt, duke i plagosur të dy edhe pse është e paqartë nëse kjo ka ndodhur në të njëjtin moment apo në kohë të ndryshme gjatë përleshjes me armë. Sipas dëshmitarëve, pas rrëzimit të Nikulajt në tokë Alban Deda, me ç’duket i plagosur lehtë, ka përdorur armën e këtij të fundit për të qëlluar mbi Sokol Sejdinë, duke e plagosur edhe këtë të fundit. Dëshmitarët kanë treguar se ky moment i përleshjes ka ndodhur në korridoret e gjykatës dhe ka terrorizuar gjithë njerëzit që ndodheshin aty. Një punonjës i policisë rrugore që disa dëshmitarë e kanë lidhur me një nga palët në konflikt, Dritan Lorenci, ka ndërhyrë dhe i ka hequr pistoletën nga dora Sejdisë. Në një njoftim të saj Gjykata e Lezhës thotë se ka qenë edhe një nga punonjësit e policisë që merret me sigurinë në gjykatë që ka marrë në mbrojtje dy të plagosur nga sulmi i personave të tjerë të revoltuar. Ndërkohë që në pak minuta vendi është “pushtuar” nga policia, të shtënat kanë ndaluar dhe është bërë shoqërimi për në spital i të plagosurve.

Bilanci i betejës me armë

Bilanci është zbuluar vetëm pak minuta nga përleshja. Endri Bejtja vdes rrugës, ndërsa përcillej për në spital, ndërsa tre personat e tjerë po ashtu të përfshirë në konfliktin me armë ndodhen në gjendje të rëndë. Veç tyre janë edhe dy të plagosur, fatmirësisht lehtë, por që nuk kanë pasur lidhje me konfliktin dhe që e kanë pësuar nga plumba aksidentalë.

Tabelë

Viktima

Endri Bejtja, 38 vjeç nga fshati Abat-Shkodër dhe banues në Torovicë-Lezhë

Të Plagosur

Arben Nikulaj (Marku), banues në Balldre-Lezhë

Alban Deda, me banim në Lezhë

Sokol Sejdia, 43 vjeç, banues Tiranë, i cili është në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak

Mark Ndreu, 75 vjeç, i plagosur aksidentalisht

Viktor Bërshima, 20 vjeç, nga Mamurrasi, i plagosur aksidentalisht

Kryetarja e Gjykatës: Punonjësi i sigurisë mbrojti të plagosurit

Fjoralba Prifti, kryetare e Gjykatës së Lezhës, pasi ka dënuar aktin duke e quajtur shumë të rëndë, ka bërë një sqarim rreth rrethanave të ngjarjes dhe ka informuar se do të vazhdojë punën e saj normalisht. “Në orën 9.00 të ditës së sotme ( djeshme) në ambientet e gjykatës po zhvillohej një gjykim civil në fazën përgatitore të çështjes. Gjatë kohës që po zhvillohej séanca, ende pa përfunduar ajo, të afërm të palëve, të ndodhur në oborrin e gjykatës, janë përplasur me armë”, njofton gjykata. Sipas saj dy persona të plagosur gjatë konfliktit janë ndihmuar nga punonjësi i sigurisë së gjykatës, për t’iu shmangur sulmit të mëtejshëm, duke penguar personat e armatosur të futen në ambientet e gjykatës. “Punonjësi i Policisë së Shtetit ka ndërhyrë duke i hequr armën njërit prej personave të armatosur, ndërkohë që gjyqi është ndërprerë për shkak të situatës së krijuar”, thuhet më tej në njoftim. Sipas këtij njoftimi, çështja gjyqësore për shkak të të cilës mendohet se ka ndodhur konflikti “është paraqitur para pak kohësh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe ditën e sotme (djeshme) ishte caktuar seancë për të kryer veprime përgatitore”. Gjykata ka informuar se shqyrtimi i çështjes në themel nuk kishte filluar ende, duke lënë të kuptohet se mosbesimi i palëve ndaj drejtësisë ishte i pavend në këtë rast. Më tej në njoftimin e gjykatës thuhet se ajo e dënon këtë ngjarje shumë të rëndë dhe u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të respektojnë dhe mbështesin institucionet në ushtrimin e veprimtarisë së tyre kushtetuese.

“Gjykata garanton gjithashtu qytetarët se proceset gjyqësore do të vijojnë normalisht dhe pavarësisht ngjarjeve kriminale të shëmtuara si kjo e sotme, ajo do të vazhdojë punën për të përmbushur me kurajë misionin e saj në dhënien e drejtësisë”, thuhet në deklaratën e kryetares së Gjykatës së Lezhës. Ajo ka falenderuar punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe punonjësit të Policisë së Shtetit, të cilët, sipas saj, me veprimet e tyre të guximshme parandaluan pasoja më të rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›