E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata ne Siri Assad i drejtohet kombit

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, iu adresua vendit me një fjalim nga parlamenti.
Assad tha se vendi i tij po përballet me krizën më të rëndë që nga fundi i kolonializmit. Duke iu drejtuar parlamentit në Damask, ai fajësoi "ndërhyrjen e jashtme" për ndarje të vendit dhe "terroristët", të mbështetur nga fuqitë e huaja.
“Vendi po përballet me përpjekjet për të dobësuar Sirinë, dhe shkelur sovranitetin e saj. Mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës, tha ai, ishte përmes dialogut politik”, vlerësoi Assad. Gjatë fjalimit të tij presidenti sirian tha se nuk do të negociojë me ata që ai tha se nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit sirian. "Ne nuk do të dialogojmë me forcat që janë  angazhuar në veprime terroriste”, shtoi Assad . 
Deklarata e Assad vjen ditë pasi Liga Arabe i kërkoi Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të ndërhyjë për të ndaluar gjakderdhjen 15-mujore, që vazhdon pavarësisht planit të paqes në fuqi dhe vendosjes së 300 vëzhguesve ndërkombëtarë në vend. Që prej firmosjes së planit të ndërmjetësuar nga ish-kreu i OKB-së, Kofi Annan, në datën 12 prill, më shumë se 2 300 persona kanë mbetur të vrarë, duke çuar në 13 400 bilancin e viktimave në total.
Një muaj më parë, Assad tha se qeveria e tij ishte në gjendje që të gjente një rrugëzgjidhje për të rikthyer stabilitetin në vend.
”Siria ka qenë në gjendje të përballojë presionet dhe kërcënimet ndër vite dhe do të jetë në gjendje të kalojë edhe këtë krizë, falë fuqisë, përkushtimit, unitetit dhe pavarësisë së popullit sirian”, tha Assad. Kjo është hera e parë që Presidenti i Sirisë i drejtohet popullit të tij që prej zgjedhjeve të 7 majit, të bojkotuara nga opozita dhe të konsideruara si një farsë nga ndërkombëtarët dhe që prej masakrës në Hula ku humbën jetën më shumë se 100 persona . 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›