E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata në qytete të ndryshme të vendit, e qetë dhe me pjesëmarrje të lartë votuesish

Banorët në Tiranë: Procesi është shumë i qetë dhe mëse normal
Nga ora 7.00 e ditës së djelë, banorë të shumtë në Kryeqytet iu  drejtuan kutive të votimit, ku në përgjithësi  proçesi zgjedhor  po  zhvillohet i qetë dhe normal. Në qendrën e votimit nr.1760 në kryeqytet, në njësinë bashkiake nr.3, banorë të shumtë të kësaj njësie, presin të votojnë. Në këtë njësi me 46 mijë banorë, 34 mijë prej tyre janë votues, ndërkohë që 18 mijë banorë janë paisur me dokumentin elektronik. Kryetari i njësisë bashkiake Nr.3 në kryeqytet, Ilir Kokona , tha se, pothuajse të gjithë banorët e kësaj njësie, që kanë aplikuar për dokumentin elektronik, i kanë tërhequr ato.Ndërkohë, një prej punonjësve të zyrave të aplikimit elektronik në këtë njësi, tha se që në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë praqitura pranë qendrave të aplikimit banorë të kësaj njësie për të tërhequr dokumentin e tyre. Sipas tij, vetëm një numër i vogël i letërnjoftimeve elektronike kanë mbetur pa u tërhequr, që sipas punonjësit të kësaj zyre, janë emigrantë në vende të ndryshme. "I kam ndjekur spotet publicitare lidhur me mënyrën e votimit, dhe procedura e votimit ishte tepër e thjeshtë," u shpreh një prej banoreve të qendrës së votimit 1760 në Njësinë Bashkiake Nr.3, e cila edhe pse kishte pasaportë , preferoi të votonte me letërnjoftimin e ri elektronik. Gjithashtu, një çift të moshuarish thanë se, krahasuar me zgjedhjet e mëparëshme, votimi vetëm me një fletë, ishte më i thjeshtë.   Edhe në Njësinë Bashkiake Nr.10, në një nga qendrat e votimit në shkollën 9 vjeçare "Dora D’Istria", banorë të shumtë iu drejtuan kutive të votimit.  "Edhe pse kam pasaportë, -u shpreh një nga banorët e kësaj zone,- preferova të votoj me dokumentin e ri elektronik, ndërsa thekson se procesi ishte i qetë, dhe mënyra e votimit ishte tepër e thjeshtë." Ndryshe nga herët e tjera, banorët e kësaj njësie mund të gjenin emrin e tyre të ndihmuar nga një grup të rinjsh, nëpërmjet një programi kompjuterik. Nga 27  mijë banorë që ka kjo njësi, mbi 13.054  banorë të saj kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, ndërkohë që janë të patërhequra në këtë njësi vetëm 300 dokumenta elektronik, që sipas kryetares së Zyrës së Gjendjes Civile, aplikuesit janë emigrantë. Edhe në këtë njësi, zyrat e aplikimit qendrojnë të hapura, në dispozicion të qytetarëve që ende nuk e kanë tërhequr dokumentin e tyre elektronik.
Drejt fundit procesi i votimit në paraburgime
Procesi i votimit në qendrat e paraburgimit në Tiranë,  po shkon drejt fundit. Konfirmimi është bërë nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Këto burime pohuan se, në qendrën e paraburgimit "Jordan Misja" në Tiranë,  tashmë kanë votuar 318 të paraburgosur.  Ndërkohë që, ky proces,  është në përfundim edhe në qendrat e tjera të burgjeve në Tiranë. Të dënuarit dhe paraburgosurit në Shqipëri janë duke marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që po organizohen sot në Shqipëri. "Procesi zgjedhor nëpër qendrat e burgjeve po ecën normalisht, thanë burimet e lartëpërmendura, ndërsa konfirmuan vëzhgimin e këtij procesi nga shumë organizma, ndër të cilat, nga ato të shoqërisë  civile, medias etj. Në shkallë vendi,  në burgje,  ndodhen afërsisht 5.000 persona. Thuajse të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit  janë paisur  me letërnjoftimet e reja elektronike, duke shprehur kësisoj interes të lartë për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Shkodër/ Kryebashkiaku Luka: Tom Doshi dhe Ilir Beqja po mundohen të prishin procesin
Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, njëkohësisht kryetar i shtabit elektoral të këtij qyteti, ka reaguar me anë të një konference për shtyp mbi problemet e shkaktuara në qëndrën e votimit numër 267, e cila gjendet pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku si rezultat i reagimit të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste të Qarkut të Shkodrës u pezullua për pak kohë procesi i votimit."Kandidatët për deputetë të PS-së në Qarkun e Shkodrës Tom Doshi dhe Ilir Beqja, janë bërë pengesë për ecurinë normale të procesit zgjedhor" është shprehur Luka, duke  falenderuar qytetarët shkodranë për pjesëmarrjen në votime, dhe mënyrën e përgjegjshme dhe qytetare që ato po e përcjellin këtë proces zgjedhor. "Kadidatët për deputet Ilir Beqja dhe Tom Doshi po ndërhyjnë në mënyrë të kundraligjshme pranë komisioneve të qëndrave të votimit, duke thyer ligjin elektoral, duke i kërkuar komisionierëve të largohen nga procesi, gjë për të cilën mbajnë përgjegjësi sipas ligjit elektoral" tha zoti Luka përpara gazetarëve. Ai i kërkoj të gjithë drejtuese të Partisë Socialiste të bëhen pjesë e këtij procesi dhe të mos e pengojnë atë, sepse edhe ato nga ky process do të jenë të fituar. Luka në cilësinë edhe të kryetarit të shtabit elektoral të Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës, u ka sugjeruar kandidatëve të PS-së në Shkodër, që nëse kanë ndonjë ankesë për procesin t’i drejtohen organizmave përkatës dhe të mos pengojnë procesin zgjedhor.
Librazhd/ Pjesëmarrja në votime arrin në 47%
Në bashkinë e Librazhdit dhe të Përrenjasit, në Qarkun e Elbasanit, deri në orën 15.00 të ditës së sotme kanë marrë pjesë në procesin e votimit rreth 47 për qind e të regjistruarve në listat e votimit për zgjedhjet e 28 qershorit për Kuvendin e Shqipërisë. Nënprefektja e Librazhdit, Mimoza Qyra,  tha se  "deri rreth orës 15.00 në Librazhd dhe Përrenjas është vënë re një fluks i madh qytetarësh në qendrat e votimit dhe sipas të dhënave zyrtare, mësohet se kanë votuar rreth 47 për qind e zgjedhësve”. Ndërkohë, sipas saj, mësohet se rreth 50 për qind e banorëve të fshatrave të këtij rrethi e kanë përfunduar këtë proçes. Këto shifra, sipas Qyrës, pritet të vijnë në rritje pasi në të gjitha qendrat e votimit ka ende fluks qytetarësh, të cilët presin të votojnë. Në bashkinë e Librazhdit janë regjistruar 51.170 zgjedhës në 90 qendra votimi, ndërsa në bashkinë e Përrenjasit janë regjistruar 5797 zgjedhës, prej të cilëve deri rreth orës 15.00 kanë votuar 2255 zgjedhës.
Vlorë/ Patozi: Pjesëmarrja arrin në 34%
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe njëkohësisht kandidat për deputet i kësaj force politike në Qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, e vlerësoi mjaft pozitive ecurinë e deritanishme dhe atmosferën e procesit të votimeve të ditës së sotme në këtë qark. Në një prononcim të Patozi u shpreh se "deri tani (ora 15.10), shkalla e pjesëmarrjes në votime në të gjithë Qarkun ka arritur në 33-34 për qind, por interesimi vazhdon të jetë në rritje, gjë që pritet të shoqërohet me shifra të larta, të pakrahasueshme me më parë". Sipas Patozit, në ditën e sotme, në të gjithë Qarkun ekziston një klimë mirëkuptimi. Procesi po zhvillohet i qetë, normal dhe pa incidente. Në orët e para pati disa probleme të vogla të karakterit teknik, që u zgjidhën menjëherë dhe nuk dëmtuan aspak cilësinë e procesit.
Korçë/ Pjesëmarrja në zgjedhje arrin në mbi 30%
Rreth 30% e 286 mijë zgjedhësve të regjistruar në listat zgjedhore në Qarkun e Korçës, kanë marë pjesë në votime  deri në orën 14.00 të ditës së sotme (e dielë),  bënë të ditur burime zyrtare nga Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve ( KZAZ). "Procesi i votimeve jo vetëm  që ka vijuar normalisht  në 421 qëndrat e votimit të këtij Qarku, por edhe pjesëmarrja e zgjedhësve në këto qëndra ka qënë e vazhdueshme  në orët e paradites", thanë burimet e mësipërme. Ardian Maho, kryetar i KZAZ nr.28 në qytetin e Korçës, tha se "nga verifikimet në terren dhe qendrat e votimit, pjesëmarrja në votime në këtë qytet deri në orën 14.30 arrin në rreth 30%". Ndërkohë, edhe Roland Gushi, kryetar i KZAZ nr. 29 dhe Kimet Mullalli, kryetar i KZAZ nr. 30, që përfshijnë komunat e rrethit të Korçës, u shprehën për një ecuri krejt normale të procesit zgjedhor dhe pjesëmarrje në afro 30% të zgjedhësve në votime./f.h/s.s./
Sarandë/ Procesi i votimit i qetë dhe me pjesëmarrje të lartë
Procesi i votimit në rrethin e Sarandës dhe Delvinës vazhdon të paraqitet i qetë dhe pa probleme serioze. Burime zyrtare nga tri KZAZ me Nr. 64, 65, dhe 66, që përfshin administrativisht rrethin e Sarandës dhe rrethin e Delvinës, kanë konfirmuar me telefon, se "deri tani në situtata paraqitet e qetë dhe deri në orën 14.00 pjesëmarrja e votimit ka qenë rreth 32 përqind". Në KZAZ e Sarandës kanë votuar 30% e zgjedhësve, në atë të Delvinës 35% dhe në KZAZ të Ksamilit, 31 % e zgjedhësve kanë hedhur votën e tyre. Po të njëjtat burime, saktësuan se, në disa qendra votimi në Sarandë është konstatuar në momentet e para të nisjes së votimit se ka munguar tamponi i bojës së vulës, problem që është kapërcyer duke humbur vetëm disa minuta nga koha e votimit. Në gjykatën e Sarandës, e cila ka qenë në shërbim të procesit zgjedhor, janë paraqitur 20 kërkesa për t’u shtuar në listat e zgjedhësve, prej të cilave vetëm dhjetë të intersuar janë pranuar, pasi pjesa tjetër, pas rishikimit, ka rezultuar se ishin në listat e Sarandës.
Berat/ Procesi i votimit vijon normalisht
Në 88 Qendra votimi në Qarkun e Beratit, vazhdon normalisht procesi zgjedhor dhe deri tani, kanë votuar rreth 35 % e zgjedhësve. Qarku i Beratit, i përbërë nga dy bashki dhe 8 komuna, numëron 240 000 banorë, prej të cilëve 160 mijë janë votues. Burime zyrtare nga Prefektura e Beratit, se "procesi zgjedhor vazhdon normalisht", ndërsa theksojnë se "ndryshe nga herët e tjera, në këto zgjedhje banorët do të votojnë me dokumentin e ri elektronik". Në Qarkun e Beratit kanë aplikuar për dokumentin e ri elektronik 77 mijë banorë, ndërsa bëhet e ditur  se vetëm një pjesë e vogël e letërnjoftimeve të prodhuara ende nuk janë tërhequr, që u përkasin emigrantëve. Edhe në këtë qark, në ndihmë të procesit zgjedhor, zyrat e aplikimit do të qendojnë të hapura deri në orët e mbrëmjes së ditës së sotme për banorët që ende nuk i kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike.
Elbasan/ Arrin në 40% pjesëmarrja në votime
Në qarkun e Elbasanit deri tani ka arritur rreth 40% pjesëmarrja e zgjedhësve në votime, ndërsa pritet që në orët në vijim, ajo të vijë në rritje. Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi tha se "sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 13.30 vetëm në bashkinë e Elbasanit kanë votuar 22 mijë shtetas, ose 22%, në rrethin e Gramshit votuan 8000 zgjedhës ose 28%, në Peqin 30% dhe në Librazhd 20% e votuesve". Proçesi zgjedhor ecën normalisht përjashtuar disa rasteve sporadike si ato të pajisjes së komisionerëve të PS me stilolapsa me mikrokamera. Gjithsesi, që nga ora 13.30 në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë së Elbasanit vihet re masivitet qytetarësh, që presin të votojnë. Proçesi i votimit në të gjithë qarkun e Elbasanit ka nisur në orën 07.00 të mëngjesit të së dielës dhe në total, 299.663 shtetas pritet të votojnë në 549 qendrat e votimit në 7 Bashki dhe 43 komuna të Qarkut për 14 deputetë në Kuvendin e ri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›