Vila ia nis me premtime: Nuk do t’ju zhgënjej
Ka vetëm pak ditë që “fytyra e re” e Dinamos së Zagrebit, 21-vjeçari Emiljano Vila, që është bashkuar me skuadrën e tij të re në fazën përgatitore të Roglit. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe të shkurtër Vila është “shkrirë” shumë mirë me “blutë” kroatë, ku është përshtatur me taktikat e trajnerit të tij, Jurçiç. Vila e nisi shumë mirë te Dinamo. Në ndeshjen e fundit miqësore shënoi një gol, katër minuta pasi kishte hyrë në lojë. Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit ai tregon përshtypjet e para te Dinamo e Zagrebit.
Cila ka qenë përshtypja e parë e juaja pas takimit me kolegët e rinj në skuadër?
Gjeta një atmosferë shumë miqësore dhe të kënaqshme. U mundova të ambientohesha madje kam filluar edhe të mësoj kroatisht. Përsa i përket stërvitjes jam shumë i kënaqur me mënyrën dhe metodat e trajnerit Juriç sepse gjithçka më duket perfekte. Të gjithë janë profesionistë dhe është një kënaqësi të punosh në këtë atmosferë.
Kur ju thanë se do të jeni një lojtar i Dinamos dhe cila ishte përshtypja juaj për këtë klub?
Për Dinamon e Zagrebit pata dëgjuar fjalët më të mira që më parë dhe natyrisht që e mora seriozisht kur filluan tratativat për të ardhur këtu. Tashmë jam pjesë e këtij klubi dhe më besoni e konsideroj nder që luaj për këtë fanellë.
Si e shikoni Ligën e Kampioneve këtë sezon me Dinamon?
Kupa e Kampioneve është një kompeticion i nivelit shumë të lartë por unë besoj se kjo skuadër ka mundësi të shkojë shumë përpara. Unë për nga natyra jam optimist ndaj le t’i marrin ndeshjet një e nga një dhe të shikojmë se deri ku mund të arrijmë.
Cilët janë futbollistët që ju merrni si model?
Lionel Mesi dhe Rikardo Kaka janë dy idhujt e mi. Janë dy lojtarë të paarritshëm për mënyrën e lojës që shpalosin në fushë. Ndërsa, përsa i përket kroatëve më pëlqen shumë Luka Modriç, Ivica Oliç dhe kolegu im i skuadrës, Mario Mandzukiç.
Si e shikoni jetën këtu në Kroaci duke ditur që ju nuk njihni ende gjuhën?
Çdo fillim është i vështirë, por kur ia vlen dhe të pëlqen atëherë çdo vështirësi tejkalohet. E di që më duhet ende pak kohë për t’u përshtatur dhe për të mësuar gjuhën dhe më pas besoj se jeta në Kroaci do të jetë shumë herë më e lehtë.