Erkand Qerimaj kampion e nënkampion i Mesdheut
Gjergj Vyshka
Erkand Qerimaj është kampion dhe nënkampion i Mesdheut. Peshëngritja shqiptare, ky sport elitar, i cili ia zbardh faqen vendit të shqiponjave në çdo aktivitet ndërkombëtar, ka dhënë të tjera medalje. Në peshën 77 kg, Qerimaj ka shpërthyer që në shkëputje, ndërsa me tre prova të realizuara bukur dhe pastër, ai është kampion i Mesdheut. E nis me 147 kg, në provën 152 kg (e kalon me një kilogram egjiptianin Abdelazim), ndërsa në fund me 156 kg është Kampion i Mesdheut. Ka pasur fat, sepse egjiptiani në provën e tretë ka dështuar, ndërsa ka tentuar të ngrejë 167 kg. Mirëpo fati nuk ka qenë me Erkand Qerimajn në shtytje, sepse me 193 kg dhe me peshën trupore më të rëndë se egjiptiani Abdelazim (76.79 kg Qerimaj dhe 76.56 kg egjiptiani), ai ka humbur medaljen e arit në shkëputje, atje ku është stili i tij më i preferuar. Qerimaj e ka nisur garën me 182 kg, ndërsa Abdelazimi 187 kg. Në provën e dytë, Qerimaj 188 kg dhe egjiptiani me vështirësi 190 kg. Në të tretën të dy 193, por Abdelazim është 20 gram më i lehtë se sa shkodrani. Megjithatë arritje e radhës e Erkand Qerimajt, që shqiptarët, sidomos shkodranët e tij, nuk kanë munguar të thonë për të: “Krenaria e peshëngritjes shqiptare”. Qytetarët e tij i kanë bërë pritje madhështore kur u shpall kampion bote për të rinj më 2006, po kështu kur erdhi prej Bukureshtit dhe një të tillë Qerimaj do ta ketë dhe kur të vijë prej Peskarës. Ja pse të gjithë sot krenohen me peshëngritjen, sporti i mësuar me medalje, i cili ia zbardhi faqen dhe Komitetit Olimpik Shqiptar që, për inate të tjera, la jashtë të tjerë medalistë të shtangës kuqezi. Megjithatë, Qerimaj është kampion dhe nënkampion i Mesdheut.