Romela Begaj do medalje dhe Botëror
Romela Begaj, pas shpalljes Kampione dhe rekordmene e Mesdheut në stilin e shkëputjes, tani ka të tjera ambicie. Që nga Italia, ku ndodhet ende, Begaj ka treguar emocionet e saj për “Panorama” të garës, e cila gjithsesi nuk ka qenë fort e kënaqshme për të. “Nuk jam e kënaqur, – ka shpjeguar Begaj që nga telefoni – sepse kërkoja më shumë në krahasim me Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, i cili u bë në Bukuresht. Ideja ishte që jo vetëm të thyeja rekordin mesdhetar në shkëputje, por dhe në shtytje. Gjë që në fakt nuk u realizua. Tentova të thyeja 112 kg, duke kërkuar 114 kg. Por s’e realizova dot. Kjo ishte dëshira ime më e madhe, sepse rekordi mbahej nga turkja, e cila është dhe rekordmene olimpike. Megjithatë, këto dy medalje shpresoj të jenë vazhdë për të tjera rezultate”. Begaj konfirmon që konkurrenca ka qenë e madhe, si në shkëputje, ashtu dhe në shtytje. Dueli ka qenë mes Begajt, turkes Dazdelen dhe grekes Lapou. “Konkurrenca u përqendrua mes ne të trejave. Dhe faktet flasin vetë përderisa dola unë kampione e Mesdheut në shkëputje dhe turkja në shtytje. Gjithsesi, gara duhet quajtur e suksesshme”. Ndërkaq, objektivat e Romela Begës, e mësuar gjithnjë me medalje që nga paratërejat e deri më tani, është për arritje dhe në Kampionatin Botëror të të rriturve, i cili zhvillohet në nëntor në Korenë e Jugut. “Meqë shteti shpërblen deri te vendi i tretë, atëherë do të kërkoj në këtë kompeticion që të jem në treshen e vendeve të para. Nuk do të jetë e lehtë, por unë jam e bindur që i kam mundësitë për më shumë”, ka përfunduar kampionia e Mesdheut, Romela Begaj.