E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata në veri, mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës

Mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë së Kosovës. Mbledhja e thirrur nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të diskutojë për situatën politike dhe sigurisë në vend. Sipas mediave kosovareKëshilli do të analizojë me hollësi veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e masave të reciporicitetit kundër Serbisë në pikat kufitare veriore dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka aprovuar rekomandimet e agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës ndërsa i konsideron veprimet e agjencive shtetërore të sigurisë së Kosovës në veri të vendit si plotësisht legjitim dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës gjithashtu kërkon nga të gjitha agjencitë e sigurisë së Kosovës që të koordinojnë aktivitetet e tyre shumë ngushtë për të siguruar zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Më tej Këshilli i Sigurisë së Kosovës rekomandon që agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës gjithashtu të koordinojnë veprimet e tyre me mekanzimat ndërkombëtarë, që janë prezentë në Kosovë dhe që kanë kompetenca në fushën e sundimit të ligjit. Ky koordinim duhet të bëhet gjithmonë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Gjithashtu Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga agjencitë shtetërore të sigurisë së Kosovës që ta mbajnë në shkallën më të lartë nivelin e gatishmërisë për çdo nevojë të ndërhyrjes me të gjitha mjetet në dispozicion në rast të cënimit të sovranitetit shtetëror dhe rendit të brendshëm kushtetues të Kosovës.

Më tej Këshilli i Sigurisë së Kosovës kërkon nga të gjitha agjencitë shtetërore dhe nga ministritë relevante të Qeverisë së Kosovës që të koordinohen dhe të ndërmarrin veprimet e domosdoshme që t`iu ardhur në ndihmë qytetarëve që jetojnë në veri të vendit. Kjo ndihmë duhet të jetë e përqëndruar në sigurimin e nevojave për ushqim dhe medikamente mjekësore, me qëllim të evitimit të çfarëdo krize humanitare atje.

Sipas deklaratës së Këshillit, agjencitë ahtetërore të sigurisë së Kosovës duhet të koordinojnë veprimet e tyre me mekanizmat relevantë ndërkombëtarë për të zhbllokuar rrugët dhe për të siguruar lëvzijen e lirë për qytetarë dhe mallra.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës gjithashtu garanton qytetarët e Kosovës se do t`i kryejë të gjitha detyrat kushtetuese dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë ngushtë dhe të kenë besim të plotë në agjencitë shtetërore të sigurisë për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›