Situata nga dëbora, Avokati i Popullit niset drej Kukësit

Avokati i Popullit Igli Totozani është nisur sot drejt qarkut të Kukësit, në shenjë solidariteti me banorët e izoluar nga dëbora. Në një linjë telefonike për RTV “Ora News”, Totozani theksoi se së bashku me stafin e tij do të kontribuojë me disa ndihma ushqimore për familjet e bllokuara nga bora ndërsa kërkoi solidaritet për të ndihmuar këta banorë në këtë situatë të vështirë.
“Këto ndihma janë kontribut personal i stafit të Avokatit të Popullit. Sot është dita që të flasim me një zë dhe të jemi solidar me njerëzit tanë” ka theksuar Totozani.
Ai ka theksuar më tej se sot më shumë se analiza për punën e bërë nga qeveria për të përballuar emergjencën është solidariteti me këto zona të izoluara.
“Ajo çfarë po ndodhë tani është në kohë reale. Stafi ynë po minotoron punën e qeverisë për t`iu përgjigjur në kohën e duhur qytetarëve në lidhje me masat e marra. Me rëndësi është të solidarizohemi me këta njerëz. Duhet të vlerësojmë masat e ndërmarra por edhe ndihmat nga organizmat që të kalohet me sa më pak trauma një moment i tillë” ka theksuar më tej Totozani.
Gjatë vizitës së tij në Kukës, Avokati i Popullit, Igli Totozani do të takohet me Prefektin e Qarkut Elez Masi, i cili është dhe Kryetari i Shtabit të Emergjencave dhe me Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Hasan Halili.