E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata politike, Arvizu takon Ramën në PS

TIRANE-Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu po zhvillon ne keto momente nje takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Takimi nisi rreth orës 11:30 minuta me dyer të mbyllura në selinë e PS. Burime bëjnë të ditur se Arvizu dhe Rama do të diskutojnë situatën politike në vend, dhe vecanërisht tani që pritet të nisë dhe sesioni i ri parlamentar.

Dy ditë më parë ambasadori Arvizu u kërkoi partive politike të mos bëhen pengesë për reformat. Pas një takimi me kreun e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, diplomati amerikan kërkoi nga politika gjetjen e rrugës së bashkëpunimit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërsa dje pasdite vonë, Kryetari i Partisë Socialiste, pak ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, ka kryer një takim me deputetët e partisë më të madhe në opozitë.

Burime nga ky takim thanë se në të kanë marrë pjesë kryesisht ata deputetë të cilët drejtojnë ose bashkëdrejtojnë komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.

Mësohet se nuk ka pasur asnjë lloj vendimmarrjeje në mbledhjen e djeshme.
Në takim nuk ka marrë pjesë asnjë prej emrave që po sulmojnë me kritika Edi Ramën kohët e fundit, si Kastriot Islami, Arben Malaj apo Andis Harasani.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›