Situata politike në 3 gazeta të Prishtinës
SHTYPI I KOSOVËS
EXPRESS:
Perëndimi ka vazhduar të reagojë kundër njohjes së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë nga Rusia dhe të përjashtojë krahasimet me rastin e Kosovës. Në argumentet e diplomatëve perëndimorë, dallimi më fondamental që shprehet është se asnjë shtet anëtar i NATO-s nuk ka qenë në konflikt direkt me Serbinë, sikur Rusia në rastet e krahinave të Gjeorgjisë. Zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Michele Montas, ka thënë se të dyja situatat janë të ndryshme dhe krahasimet nuk qëndrojnë. "Mendoj se ju nuk duhet t'i krahasoni të dyja situatat. Historia e të dyja situatave është e ndryshme", ka thënë zëdhënësja, e cila ka rikonfirmuar vazhdimësinë e rikonfigurimit të UNMIK-ut. Ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Schëarzenberg, ka theksuar dy dallime të mëdha. Së pari - ka thënë ai - për dallim nga Kosova, ku janë zhvilluar negociata shumë intensive dhe të gjata, rasti i Osetisë Jugore dhe Abkhazisë ishte i ashtuquajtur konflikt i ngrirë për të cilin nuk është negociuar. Sipas tij, dallimi tjetër është se Serbinë e ka bombarduar NATO-ja, ndërsa në Gjeorgji ka intervenuar Rusia, e cila është palë e drejtpërdrejtë në konflikt. "Asnjëra prej forcave që angazhohen në Kosovë nuk është drejtpërsëdrejti palë e interesuar, nuk janë fqinjë të Serbisë, pra atje nuk kanë interesa të veta. Por, Rusia është njëra nga palët, e cila është angazhuar në konfliktin në Kaukaz", ka thënë ai...
KOHA DITORE:
Prishtina zyrtare nuk ka pranuar të takohet me Beogradin, megjithëse një mundësi për takim të tillë është përmendur nga Misioni i OKB-së në Kosovë. Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar të enjten se as Beogradi e as Prishtina nuk janë të gatshme për takime të drejtpërdrejta mes tyre. "Jam shumë i sinqertë; për të parën herë këtë po e dëgjoj", kështu është përgjigjur kryeministri i Republikës pas pyetjes së gazetës se a qëndron ajo që është transmetuar nga UNMIK-u. Ky mision, ditë më parë, ka thënë se Beogradi zyrtar kishte refuzuar zhvillimin e një takimi eventual me Prishtinën, i cili po të zhvillohej si i tillë, kishte pëlqimin paraprak të institucioneve kosovare. Mirëpo, Misioni i OKB-së në Kosovë edhe të enjten ka thënë se një dialog mes dy kryeqyteteve është i mirëseardhur. Sipas tyre, ky takim do të ishte i drejtpërdrejtë, me ndërmjetësim nga jashtë, por meqë pozita e Beogradit karshi Prishtinës është refuzuese, vështirë se do te ndodhë shpejt. Megjithatë, përveç shefit të Qeverisë, as zëvendëskryeministri i Republikës, Hajredin Kuçi, thotë të mos jetë në dijeni për dhënien e pëlqimit të Prishtinës zyrtare për të biseduar me Beogradin drejtpërdrejt, siç pohon administrata e UNMIK-ut. "Nuk ka folur askush me ne konkretisht, se ka folur me Serbinë (për një takim të tillë)", thotë ai...
EPOKA E RE:
Ministri i Jashtëm francez, Bernar Kushner, ka deklaruar të enjten se Serbia ka të drejtë që nga Organizata e Kombeve të Bashkuara të kërkojë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta shqyrtojë ligjshmërinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, por që kjo gjykatë, nëse e shqyrton kërkesën, do të duhet t'i marrë parasysh të gjitha elementet. "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nëse e shqyrton këtë kërkesë, për çka fare nuk jam i sigurt, do t'i ketë parasysh të gjitha elementet", ka thënë Kushner, në margjinat e tubimit të ambasadorëve francezë në Paris. "Mos harroni se ekzistojnë marrëveshjet ndërkombëtare, OKB-ja dhe qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare. Gjykata të gjitha këto do t'i ketë parasysh. Ne nuk e kemi shpikur pavarësinë e Kosovës", ka thënë shefi i diplomacisë franceze...